E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditë zie në Moskë për viktimat e sulmeve


Rusia mban sot një ditë zie për të shënuar sulmet e dyfishta vetëvrasëse në metronë e Moskës, ku u vranë të hënën të paktën 39 vetë.
Në qytet është forcuar siguria, për shkak të shqetësimeve se mund të ketë një valë tjetër sulmesh.

Autoritetet besojnë se sulmet me bomba u kryen nga rebelë nga rajoni i Kaukazit të Veriut.

Më herët, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, bëri thirrje për një bashkëpunim mund të ngushtë rajonal për të luftuar atë që ai quan rrjet global terrorist.

Ai po fliste në samitin e G8-s në Kanada.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, u bëri jehohë komenteve të tij duke thënë se bota është duke u përballur me një armik të përbashkët.

Kryeministri rus Putin që ndërpreu një udhëtim në Siberi për t'u kthyer në Moskë, tha se do të bëhet çdo gjë për të gjetur dhe ndëshkuar kriminelët që janë përgjegjës.

Ai foli të hënën edhe për masa të reja të sigurisë:

"Na duhet të diskutojmë masa shtesë të sigurisë në infrastrukturën e transportit në veçanti. Masat shtesë po merren tani për të siguruar rrjetin e hekurudhave."

"Ngjarjet (e sotme) tregojnë se ne jo vetëm duhet të vazhdojmë këtë punë, por ta bëjmë më intensive. Kjo mund të kërkojë edhe ndryshime ne legjislacion," tha kryeministri rus.

Shpërthimet ndodhën në orën e pikut në mengjes, ndërsa njerëzit ishin duke shkuar në punë.

Prokurorët thonë se hetimet e sapofilluara tregojnë se të dyja sulmet janë kryer nga persona vetëvrasës, që kanë qenë gra.

Shpërthimi i parë ndodhi në stacionin qendror Lubyanka, ku më shumë se njezet vetë thuhet të kenë gjetur vdekjen dhe shumë të tjerë janë plagosur.

Më pak se një orë më vonë ndodhi një tjetër shpërthim, kësaj rradhe në stacionin Park Kultury, edhe më në qendër të Moskës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›