E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blank divorcohet nga Franca, nuk do të rinovojë

Trajneri i Francës do të mbyllë bashkëpunimin me gjelat. Eliminimi në çerekfinalet e Euro 2012 dhe problemet brenda grupit të futbollistëve e shtyjnë Blankun të ndryshojë ambient Loren Blank nuk do ta rinovojë kontratën e tij për të qenë edhe më tej trajner i përfaqësuese së Francës, sipas medieve franceze. Menaxheri i trajnerit 56-vjeçar, Zhan-Pierr Bernes nuk ka mohuar apo pohuar këto lajme ndërkohë që kontrata aktuale skadoi dje por ka thënë se ka pasur një bisedë telefonike mbrëmë me presidentin e Federatës Franceze të Futbollit, Noel Lë Graet. Pasi e mori këtë detyrë nga Rajmond Domeneku pas Kupës së Botës 2010, Blank ka arritur objektivat minimalë të përcaktuar për Euro 2012 sepse ka shkuar në çerekfinale, ku u eliminua me rezultatin 2-0 nga Spanja kampione. Megjithatë, ai ka shumë merita për ecurinë e skuadrës gjatë dy viteve të tij si trajner, pasi Franca shkoi në kuotën e 23 ndeshjeve pa pësuar humbje që përfshin edhe një bazim dhe një fitore në dy ndeshjet e para në grup në këtë Europian- dhe ka rikthyer imazhin e mirë të Francës pas ngjarjeve të pakëndshme të verës 2010. Ecuria pa humbje mori fund me disfatën 2-0 kundër Suedisë së eliminuar që më parë nga turneu në ndeshjen e fundit në grup dhe kjo solli edhe mospajtime dhe përçarje të skuadrës, pasi disa lojtarë u zunë me njëri-tjetrin, ndërsa Blank pati një debat të fortë me Hatem Ben Arfan. Kjo bëri që për disa lojtarë veteranë të ngjalleshin fantazmat e Kupës së Botës 2010, ndonëse pasojat nuk ishin aq të thella. Duke zënë vendin e dytë në grup pas Anglisë, Franca u përball në çerekfinale me Spanjën por edhe opsioni tjetër nuk do të kishte qenë më i lehtë sepse u pa që Italia ishte po aq e fortë dhe tani është në finale- dhe skuadra e Blank u eliminua ndonëse përzgjodhi një skuadër shumë mbrojtëse. Shpërthimi pas ndeshjes nga Samir Nasri e mbylli në mënyrën më të keqe këtë turne për trajnerin, për shkak të bujës mediatike që pasoi. Sidoqoftë, ai kishte gjatë gjithë kohës përkrahjen e kapitenit Hugo Loris dhe më pas edhe nga presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, i cili tha se do të ishte fatkeqësi nëse Blank nuk do ta çonte këtë Francë në Kupën e Botës, nëse kualifikohej. Blank ka pasur bisedime me Lë Graet, i cili nuk ishte nga përkrahësit e tij më të mëdhenj. Të enjten u kuptua se bisedimet kishin shkuar mirë, por që të dyja palët kishin kërkuar 48 orë kohë për të reflektuar për pozicionet e tyre. Por një burim anonim ka thënë se “Blank dëshironte të dëgjonte një frazë që nuk e dëgjoi kurrë, e cila është Kam shumë dëshirë të punoj me ty”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›