Blater: Klubet duhet të pranojnë verdiktin tonë
Presidenti i FIFA-s, Josef Blater, ka dalë hapur në mbështetje të FSHF-së, duke u bërë të qartë edhe 6 klubeve "kryengritëse" se po gabonin duke i dalë në krah shtetit shqiptar. Blater e ka treguar qëndrimin e tij në një letër që ia ka dërguar dje presidentit të FSHF-së, Armand Duka, ku ka shprehur edhe ngushëllimet për ngjarjen tragjike që ndodhi në Gërdec pak ditë më parë. "Më lejoni t‘i shpreh ngushëllimet e mia të gjithë Shqipërisë për tragjedinë që ndodhi gjatë javës së kaluar në Tiranë, dhe ju kërkoj të përcillni këto ngushëllime te viktimat dhe familjarët e tyre, në këto momente të trishtuara zije. Për sa i përket letrës që më keni dërguar më 18 mars, unë dua të ripërsërit në emër të FIFA-s, mbështetjen tonë të plotë të pavarësisë së FSHF-së dhe keqardhjen tonë që pavarësisht veprimeve të përbashkëta FIFA-UEFA, ky princip që përfshihet në Statutin e FIFA-s, Statutin e UEFA-s dhe Kartën Olimpike, është vënë seriozisht në rrezik në Shqipëri. Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s ishte unanimisht në mbështetjen ndaj federatës tuaj. Për sa u përket 6 klubeve të Kategorisë Superiore, ata duhet të ndërgjegjësohen se si anëtarë të FSHF-së, ata janë anëtarë indirektë të FIFA-s. Si të tillë, ata kanë detyrimin të respektojnë vendimet e FIFA-s, ashtu siç shkruhet në nenin 13.1 (d) të Statutit të FIFA-s. Si përfundim, çdo tentativë që do të ndikojë legjitimitetin e FSHF-së, ndryshojë apo ndëshkojë atë, nuk do të njihet nga FIFA në bazë të paragrafit 2 dhe 3 të Nenit 17 të Statusit të FIFA-s", shkruhet në letrën e dërguar nga Blater.