Ervin Skela: Largimi nga Eintrahti, një gabim!
Ervin Skela do të kthehet në stadiumin "Komerzbank-Arena", ku me Energie Kotbus do të luajë përballë Eintrahtit të Frankfurtit. Mesfushori shqiptar ka qenë organizatori i fundit tipik në Frankfurt, ku për 3 vjet (2001-2004) u shndërrua edhe në idhullin e tifozerisë. "Tek Eintrahti kam kaluar periudhën më të bukur si futbollist", ishin fjalët e 31-vjeçarit. Pavarësisht dashurisë që ka për klubin, Skela tashmë mendon për skuadrën ku militon. Ai tha: "Do të ishte e rëndësishme që në këtë ndeshje të merrnim pikë. Me gjithë simpatinë që kam për klubin dhe për tifozët do të bëj të pamundurën që Kotbus mos të humbasë". Në Frankfurt, vlonjati ka luajtur 82 takime, duke realizuar 26 gola. Ai është larguar në vitin 2004, pasi skuadra nuk arriti të siguronte qëndrimin në elitën e futbollit gjerman. Vendim, të cilin lojtari vazhdon ta vuajë. "Gjatë këtyre viteve kam kuptuar se bëra gabim që u largova nga Frankfurti. Duhej të kisha zgjedhur të qëndroja", vazhdoi mesfushori kuqezi. Gjithsesi, marrëdhëniet e tij me klubin nuk kanë qenë gjithmonë të mira: pas largimit drejtuesit e Eintrahtit e kanë qortuar sjelljen e tij (ata i kishin ofruar të qëndronte, por Skela kërkonte me ngulm të luante sërish në Bundesligë dhe u transferua tek Arminia Bielefeld). "Nuk më pëlqeu mënyra se si u sollën. Megjithatë, do ta kisha pranuar me kënaqësi një shans të dytë për të luajtur sërish këtu".