Gjana përuron argjinaturën e lumit Devoll
“Elbasani bën pjesë në ato zona me probleme jo të pakta dhe ne jemi përpjekur të investojmë, por portofoli i investimeve tona ende nuk është shumë i madh”. Kështu deklaroi ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, gjatë përurimit të ndërtimit të një pjese të argjinaturës së lumit Devoll, në fshatin Rrenas të Komunës Grekan. Me një fond prej 25 milionë lekësh, në këtë fshat janë kryer investime në 560 metra argjinaturë të re, shtatë prita si dhe 2000 blloqe betoni. Paraditen e së premtes ministri Gjana ka prerë edhe shiritin e përurimit të këtij investimi të dhënë nga buxheti i shtetit. Ky investim ka shpëtuar 100 hektarë tokë bujqësore në fshatin Rrenas të Komunës Grekan, si dhe një lagje të këtij fshati. Argjinatura jo vetëm që mbron tokën ekzistuese të fshatit, por ka siguruar edhe 50 hektarë tokë të re, e cila ka qenë e pushtuar nga lumi e që do të vihet në dispozicion të komunës. “Këto janë probleme nga mungesa e investimeve përgjatë viteve dhe do të përgëzoj Drejtorinë e Bordit të Kullimit në Elbasan, e cila ka përzgjedhur si prioritet pikërisht këtë zonë për të kryer këtë investim. Edhe ne si ministri në vazhdim të këtij viti, si dhe në vitin 2009, do të kryejmë investime të tjera në këtë zonë”, - theksoi ministri Gjana. "Ne, - vijoi ai, - kemi ndërhyrë në investime edhe në përroin e Zaranikës, edhe pse nuk është pjesë e ministrisë që unë drejtoj, duke shpenzuar një shumë të madhe. Këtë vepër do të dëshiroja që jo vetëm banorët e zonës, por edhe pushteti lokal, ta mirëmbajnë dhe të mos shfrytëzojnë përrenjtë”, - tha ai.