E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza; Zbuten çmimet në korrik, inflacioni ulet në 3.7 për qind

Ushqimet kanë nisur të tregtohen më lirë në tregun shqiptar, po ashtu edhe veshjet kanë nisur të zbresin çmimet që kishin një muaj më parë. Rënia e çmimeve po tregon se Shqipëria po kalon pak nga pak krizën globale që u përcoll edhe në vendin tonë. Niveli i inflacionit ka rënë gjatë muajit korrik, në krahasim me muajin e mëparshëm, tregues ky që reflekton një qëndrueshmëri më të madhe të çmimeve përgjatë këtij muaji.

INSTAT raportoi dje se Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin korrik 2008 arriti 99.6 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07=100), duke shënuar një ulje prej 0.6 për qind krahasuar me muajin e kaluar. Sipas INSTAT, ndryshimi vjetor në muajin korrik është 3.7 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.1 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një ulje prej 1.6 për qind, me një ndikim prej -0.6 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 10.2 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të domateve me 23.9 për qind, specave me 43.6 për qind, patëllxhanëve dhe bamjeve me mbi 50 për qind etj. Indeksi në nëngrupin “fruta” shënoi një ulje prej 6.5 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të shalqirit me 19.8 për qind, pjeprit me 28.5 për qind, dardhave me 13.6 për qind, limonëve me 8.6 për qind etj. Indeksi i grupit “qumësht, djathë e vezë” shënoi një ulje prej 0.4 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të vezëve me 3.0 për qind. Gjatë muajit korrik çmimet në disa nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve shënuan një rritje, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet “bukë e drithëra” 0.2 për qind, “peshk”, 0.1 për qind, “sheqer, reçel e ëmbëlsira” 0.1 për qind etj. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 1.4 për qind, me një ndikim prej -0.1 për qind në totalin e ndryshimit mujor.

Indeksi i nëngrupit “transport” shënoi një rritje prej 1.8 për qind, duke pasur një ndikim prej 0.1 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Gjatë muajit korrik çmimi i naftës shënoi një rritje prej 2.3 për qind, dhe çmimi i benzinës një rritje prej 1.6 për qind. Çmimet e transportit urban gjatë këtij muaji u rriten me 8.0 për qind, ndërsa çmimet e transportit interurban u rritën me 0.6 për qind. Ndërsa ndryshimet në grupet e tjera variojnë nga -0.2 për qind në -0.1 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›