“Blemë Kristiano Ronaldon se na refuzoi Ronaldinjo”
Trajneri i Mançester Junajtid, Sër Aleks Ferguson ka zbuluar se Kristiano Ronaldo mund të mos kishte pasur kurrë kënaqësinë të luante në skuadrën e “djajve të kuq” nëse klubi anglez do të kishte pasur sukses për firmosjen me Ronaldinjon. “Mendoj se do ta kishim përfunduar me sukses marrëveshjen për Ronaldinjon, por kur fluturova për në Paris për të folur direkt me lojtarin, përfaqësuesit e PSG-së më drodhën bisedën. Vetë menaxheri i tij më tha se nuk mund të bihet dakord mbi ato kushte kontrate që kishim caktuar bashkërisht më parë. Gjëja tjetër që di është se që ditën e nesërme, ai ishte pjesë e Barcelonës. Në atë kohë, ishte një zhgënjim i madh për mua. Por ne firmosëm me Kristiano Ronaldon në të njëjtën periudhë kohore dhe mbase nuk do ta kishim afruar portugezin nëse do të kishim Ronaldinjon në ‘Old Traford”, tha skocezi për të përditshmen irlandeze “The Irish Independent”.
Parakontrata
Megjithatë, trajneri 67-vjeçar pohoi se klubi e kishte monitoruar prej kohësh talentin e Sportingut të Lizbonës, madje kishin firmosur edhe një parakontratë me klubin portugez. “Ndoshta dhe do të kishim mbajtur lidhjet me Ronaldon, sepse kishim arritur një akord paraprak me Sportingun, - shton Fergi. Gjithsesi nuk do të kishim përshpejtuar lëvizjen e Ronaldos ashtu siç vepruam”. Ronaldo, i cili u bashkuar me Mançester Junajtid në vitin 2003, që në mbërritje në “Old Trafford” mbajti numrin 7, dikur të mbajtur nga Sër Bobi Çarlton.
Largimi
Pas gjashtë vitesh terrorizimi të mbrojtjeve të Premier Ligës, lojtari u largua për një “bar më të gjelbër” duke firmosur me madrilenët e Realit me një marrëveshje transferimi që kushtoi 93 milionë euro. Pavarësisht të ardhurave marramendëse të përfituara nga shitja e kartonit të tij, trajneri i kampionëve të Anglisë përsërit se ka humbur një njeri të madh nga ekipi i tij. “Sigurisht, Kristiano përbën një humbje të madhe për ne, përsa i përket golave që ai na dhuronte. Por tani duhet t’i kërkojmë diku tjetër ato dhe teknika jonë do të përshtatet në një tjetër dimension,” përfundoi Ferguson.