E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cheney shkruan kujtimet, i zemëruar me Bushin

 

Ish-zv/presidenti amerikan, Dick Cheney, po shkruan një libër me kujtimet e tij, ku për surprizë të të gjithëve fajëson ish-presidentin Xhorxh Bush për shumë gjëra që ai i ka kapërcyer gjatë kohës që ishte zëvendësi i tij. Në fakt vetë shkrimi i kujtimeve konsiderohet surprizë, pasi vetë Cheney i ka kritikuar njerëzit që shkruajnë kujtimet e tyre, si ish-sekretari i Thesarit, Paul O’Neill, apo ish-Sekretari i shtypit për Shtëpinë e Bardhë, Scott McClellan. Por tani ai po shkruan kujtimet e tetëvjeçarit të tij përkrah Bushit. Tani ai po u thotë miqve të tij se “statuti i limitimeve ka marrë fund”, për sa i përket tensioneve mes tyre. Revista “Time” ka raportuar në numrin e muajit të kaluar se Cheney ishte “i tërbuar”, për faktin se Bush nuk e fali Scooter Libby, një ndihmës i zv/presidentit, të cilit, sipas Cheney-t, “i ishte kërkuar të fuste qafën në grirësen e mishit” (shprehje amerikane për të mbyllur gojën), duke mos treguar të gjitha ato që dinte mbi rrjedhjen e informacionit për identitetin e agjentes së CIA-s, Valerie Plame në shtyp. Cheney po mbledh rreth vetes të gjithë grupet e bashkëpunëtorëve të tij, për të rrëfyer ngjarje në librin që do të publikohet në vitin 2011. Një nga miqtë e tij ka rrëfyer se Cheney ka ndjerë se Bushi i ishte larguar gjatë mandatit të dytë. Sipas tij, Bushi ishte shkundur nga reagimi publik dhe kritikat që ai mori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›