Terri: Këtë vit fitojmë titullin me çdo kusht
Kapiteni i Anglisë, nuk e ka shijuar titullin e Premier Ligës që në sezonin e vitit 2005/06 kur në stolin e Çelsit ishte Zhoze Murinjo, megjithatë sipas Xhon Territ, me mbërritjen e Karlo Ançelotit, Çelsi do të lërë pas sezonet e dështuara. Një deklaratë e tillë e qendërmbrojtësit ka vetëm dy ditë përpara fillimit të kampionatit të ri, ku në ndeshjen e parë “blutë” do të presin në shtëpi “tigrat” e Hull Sitit. “Do të jetë një kampionat tepër i fortë, ashtu si në dy tre vitet e fundit, por këtë radhë do të jenë blutë që do të kenë kreun e renditjes ndërsa të tjerët do të vijnë pas. Por për të bërë një dominim të tillë, do të na duhet që të mbrohemi nga klube si Liverpul, Arsenal dhe Mançester Sitit që mendohet të na hapin telashe”. Gjatë kësaj vere Terri ka qenë në qendër të merkatos pasi ai kërkohej me ngulm nga Mançester Siti, klub i cili i pati bërë një mega-ofertë. Por qendërmbojtësi i Bluve të Londrës refuzoi paratë për të qëndruar tek skuadra e çelsit. Në të njëjtën kohë, edhe mesfushori Frenk Lampard ka mbështetur formacionin e ri që do të përdoret nga Karlo Ançeloti. Ky sistem loje, do ta vendosë asin e Çelsit, mbas dyshes së sulmit, po ashtu si në fitoren e Superkupës së Anglisë. “Ai kërkon që të jemi të organizuar, të rifitojmë topin e humbur sa më parë të jetë e mundur dhe të luajmë futboll bukur. Trajneri na e shpjegoi qartë planin e tij të punës dhe shpresojmë se një metodë e tillë do të na përmirësojë ndjeshëm. Është shumë e lehtë të punosh me të”, tha Lampard.