Grabiten brenda ditës dy kisha ortodokse në Përmet
PERMET/ PIRO NASE
Kishat ortodokse në Përmet bien sërish pre e grabitjeve. Burime zyrtare bënë të ditur se persona ende të paidentifikuar nga policia e Përmetit kanë grabitur në orët e para të së shtunës dy ikonostase mbi 250-vjeçare në kishën Shën Premte, si dhe një pjesë të portës kryesore në kishën e Shën Nikollit. Policia e Përmetit ka bërë të ditur për gazetën se dy ikonostaset prej druri, të gdhendur me një mjeshtëri të lartë artistike, janë zhdukur në kishën Shën e Premte, e cila shtrihet buzë përroit që kufizon qytetin e Përmetit nga ana jugore e tij. Duket se keqbërësit nuk janë mjaftuar vetëm me vjedhjen e dy ikonostaseve, por kanë grabitur në ikje e sipër edhe një pjesë të portës kryesore të kishës së Shën Nikollit, e cila ndodhet në zonën e sipërme të qytetit. Burime të policisë thanë se qysh nga momenti i njoftimit nga kujdestari Thanas Qerimi, në vendngjarje kanë mbërritur ekspertët e kriminalistikës, të cilët kanë nisur hetimet për të identifikuar autorët e mundshëm. Ky është rasti i dytë gjatë këtij viti që në qytetin e Përmetit, persona ende të paidentifikuar grabisin për qëllime përfitimi objekte fetare. Kisha e Shën Premtes është ndërtuar në vitin 1776, ndërsa kisha e Shën Nikollit daton gjithashtu e ndërtuar në shekullin e XVIII. Sipas policisë, qëllimi i autorëve është shitja e objekteve të kishës për të pasionuar apo besimtarë ose për materialin nga i cili janë përbërë. Policia ka nisur kërkimet për autorët e dyshuar, duke siguruar nga vendngjarja gjurmë që mund të çojnë në identifikimin e tyre. Objektet e kultit në qarkun e Gjirokastrës janë bërë prej kohësh shënjestër e hajdutëve, të cilët rrëmbejnë herë pas here materiale që mund t’i nxjerrin më pas në shitje.