E Diel, 1 Nëntor 2026

Blendi Klosi: Do ketë ndryshime në Asamble



Kongresi i sotëm i socialistëve do të sjellë ndryshime dhe freskim të përbërjes së Asamblesë Kombëtare. Ndryshimi nis rivendosjen e kryetarëve të rretheve, të cilët do të jenë automatikisht dhe anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Blendi Klosi, aktualisht sekretar organizativ, gjatë një prononcimi për mediat shpjegoi etapat me të cilat socialistët do të drejtohen nga emrat e rinj. “Zgjedhjet e rrethit do të ndodhin menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij statuti. Statuti i ri i Partisë, i cili i propozohet nesër kongresit, i bën kryetarët e rretheve drejtpërsëdrejti anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS, duke i dhënë kështu një forcë më të madhe kësaj Asambleje, me përfaqësim direkt nga baza e PS. Zëri i socialistëve në të gjithë Shqipërinë do të vijë drejtpërsëdrejti nga këta përfaqësues në Asamblenë Kombëtare të PS. Kjo natyrisht do të sjellë një ripërtëritje të Asamblesë Kombëtare”, u shpreh Blendi Klosi, sekretar organizativ. Rrugëtimin e ri të PS, pas kongresit të sotëm, e konfirmon dhe anëtari aktual i kryesisë, Pandeli Majko. “Do të ketë dhe një frymë diskutimesh dhe përmbajtjesh, do të ketë dhe një tendencë e cila funksionon brenda çdo partie. Unë këtë e njoh, e kuptoj dhe mendoj se kjo do të mbyllë një sipar, për të hapur një sipar tjetër, po në çdo rast ata që mbeten vlera mbeten vlera, ata që krijojnë probleme, do krijojnë probleme. Aktualisht, ajo që dëshiroj ta përsëris, te vetja dhe me shokët e mi, është që sot aktualisht ne kemi për njerëz ata të cilët nuk marrin nga emri i PS për të bërë diçka, por i japin PS-së”, tha Pandeli Majko, në një prononcim të pak ditëve më parë. Por duket se socialistët kanë gati disa reflektime në lidhje me kodin e ri zgjedhor. Sipas Klosit, duhet parë me çdo kusht aktivizimi i votës së emigrantëve. “Zgjedhjet e fundit treguan që do të duhej të kishte ndodhur votimi i emigrantëve shqiptarë, në një mënyrë ose një tjetër, duhej gjetur një zgjidhje”, vijoi Klosi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›