Legisi dhe Muçi rikthehen në PS
Aristir Lumezi
Ndre Legisi, Mustafa Muçi dhe Armond Halebi aplikojnë për t’u anëtarësuar në Partinë Socialiste. Pas 7 vjetësh larg Partisë Socialiste, madje në oponencë të plotë me të, një nga themeluesit e saj, Ndre Legisi, pas “divorcit” me Ilir Metën rikthehet në PS. Bashkë me Legisin, edhe Mustafa Muçi, Armond Halebi dhe kreu i Bashkisë Patos, Bardhi Meli, anëtarësohen në Partinë Socialiste. Pasi kanë plotësuar formularët e pranimit, të cilët i kanë dorëzuar pranë degëve të PS në njësitë e tyre bashkiake, sipas statutit, ata janë bërë automatikisht anëtarë të PS, ndërkohë që sot do të jenë si të ftuar në kongres. Bashkë me ta në kongresin e PS do të jenë të ftuar edhe ata socialistë që bënin pjesë më parë në LSI, si Pëllumb Xhufi, Sabit Brokaj etj. Legisi dhe Muçi kanë qenë pjesë e kabineteve qeveritare socialiste, kur Kryeministër ishte Ilir Meta, ndërsa ishin mbështetësit më të afërt të Metës në krijimin e LSI-së dhe në fushatat e mëtejshme zgjedhore. Legisi ka qenë krahu radikal në LSI në marrëdhëniet me PS në zgjedhjet parlamentare të korrikut 2005 dhe në zgjedhjet vendore në shkurt 2007. Ndërsa Armond Halebi, aktualisht kryetar i njësisë bashkiake nr.9 në kryeqytet i është bashkuar LSI në zgjedhjet parlamentare të 2005, duke kandiduar në Tiranë. Menjëherë pas bashkëpunimit qeverisës të LSI me Partinë Demokratike, Ndre Legisi, Pëllumb Xhufi, Mustafa Muçi, Armond Halebi e të tjerë u larguan nga kjo parti dhe iu bashkangjitën koalicionit opozitar. Madje në të gjitha tryezat me partitë opozitare, kreu socialist Edi Rama ka pasur gjithnjë Ndre Legisin, duke e cilësuar si pjesa socialiste e vërtetë e LSI-së. Madje për muaj të tërë në qarqet politike flitej se këta eksponentë të majtë pritej të krijonin dhe një parti të ngjashme si LSI-ja, por duket se kjo ide ka mbetur vetëm në letër, pasi ata që sot janë zyrtarisht anëtarë të PSSH-së.