Protestat, statuti dhe programi në rend të ditës
Socialistët mbledhin sot kongresin e tyre, të dytin që pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Kongresi mblidhet vetëm dy javë para protestës së madhe që socialistët do të zhvillojnë më 30 prill në Tiranë, para Kryeministrisë. Në këtë kontekst, kongresi do të shërbejë dhe për të përsëritur vendosmërinë e PS, për të mos u ndalur nga përpjekja për largimin e Qeverisë. Pika e parë e rendit të ditës, do të jetë situata politike ku Edi Rama përmes një fjalimi do të trajtojë krizën e demokracisë dhe ekonomisë, dhe rolin e PS në zgjidhjen e saj. Në këtë pikë të parë të punimeve të kongresit, e cila do të jetë e hapur për mediat, pritet të ketë shumë diskutime që do të konfirmojnë vendosmërinë për të vazhduar në rrugën e protestës deri në mosbindje civile, siç është shprehur dhe Rama. Më pas kongresi do të vazhdojë me dyer të mbyllura, ku do të diskutohet për ndryshimet statutore, të cilat do të votohen në fund nga delegatët e kongresit. Ndërsa programi politik i PS, i cili iu paraqit dhe Asamblesë Kombëtare, do të bëhet i njohur për delegatët por nuk do të miratohet nga kongresi, ai do të mbetet i hapur për t’u shtuar në propozime nga një diskutim i madh që do të nisë me bazën e PS pas kongresit në muajt në vazhdim.