Bleona fsheh martesën
Këngëtarja Bleona Qerreti është paraqitur shumë kontroverse në një intervistë të saj dhënë një ueb-faqeje amerikane. Në një intervistë të dhënë për ueb-faqen Global Grint, një faqe kjo për artistë trivialë që më shumë synojnë famë në SHBA, këngëtarja shqiptare ka folur për shkuarjen e saj në SHBA, por nuk ka treguar se kush dhe si ka mbërritur ajo atje.
Kur është pyetur për martesën e saj, këngëtarja ka dhënë një përgjigje të çuditshme, edhe pse disa muaj më parë kishte thënë se burri i saj i ka këmbët shumë të bukura.
Keni të dashur, e kishte pyetur gazetarja Bleonën dhe ajo jep një përgjigje kontroverse dhe shumë të pakuptueshme.
“Po bën shaka me mua? Jam pak e vështirë kur vjen puna në këtë pikë. Dua të them se kush do të merret me një divë? Në të vërtetë kam nevojë të ec pak ngadalë në veprimet e mia. Jam duke ndjekur një teori të diamantit. Gjenden shumë diamante në këtë botë, ata nuk janë të shtrenjtë, por kanë këtë marketing të mrekullueshëm që bëjnë, ata të mos jenë për të gjithë dhe kështu që njerëzit duhet të punojnë shumë për të pasur një diamant’, ka thënë Bleona në këtë intervistë.
Ajo madje nuk ka sqaruar se ishte pikërisht burri i saj që i kishte dhënë asaj nënshtetësi amerikane.
Këngëtarja në këtë intervistë ka folur edhe për karrierën e saj, takimet me miqtë dhe këngëtarë të njohur amerikanë, për të cilët ka thënë se ndan kujtime të mira nga takimet me ta.
“Kam qenë në një turne tri vjet më parë në Gjermani dhe dëgjova këngën ‘The Way I Are’ të Timbaland dhe Keri Hilson, dhe thashë ‘ky duhet të jetë producenti im, do të shkoj në Amerikë dhe do ta gjej këtë djalë’”, ka thënë ajo për punën e saj me Justin Timbaland.
Qerreti ka folur edhe për bashkëpunimet me këngëtarët e tjerë si Rodney Jerkins, Makeba dhe Alex Cantrell, të cilët kanë bërë edhe disa këngë të tjera. “Kështu, unë po bëj këngë që pastaj dikush ta dëgjojë muzikën time. E di që nuk është e lehtë, por as e pamundur”.
Ajo ka folur edhe për estradën në Shqipëri dhe Kosovë, për mediat shqiptare, por edhe për idhujt e saj të muzikës pop, përderisa ka thënë se ka dëshirë që të punojë dhe të bëjë një duet me Enrique Iglesias, Ne-Yo, Pitbull ose FloRida.