Bleona, largimi i prokurorëve shuan shpresat e familjes
Largimi i prokurorëve të Krimeve të Rënda nga Zapodi ku qëndruan ditët e fundit në kërkim të të dhënave për gjetjen e Bleonës, ka lënë pas një brengë dhe një shqetësim se kjo çështje do të mbulohet nga pluhuri ashtu si shumë të tjera. Gjyshi i Bleonës, Zeneli, tha se kishte shpresuar që marrja në pyetje e gjithë atyre personave, si dhe vetë familjarëve, përfshi edhe prindërit, do të nxirrte një të dhënë premtuese, por kërkimi përmes pyetjeve ka rezultuar ashtu si kërkimi në mal, pa rezultat. “Nuk ka asnjë shenjë, asnjë rezultat për vajzën tonë Bleonën, asgjë. Sa ishin prokurorët që merrnin njerëzit në pyetje dhe që i kanë thirrur edhe në Tiranë, shpresuam se mund të dalë një gjë në dritë, por ata ikën dhe tani nuk kemi nga kush të shpresojmë. Tani le të shohim nga qielli”, tha Zeneli, duke shtuar sipas bindjes së tij se do të ishte e pamundur që mbesa 6 vjeçe të kishte humbur pa gjurmë dhe që për të mos kishte gisht asnjë njeri i afërt. Për shumë kohë edhe vetë policia ka besuar se vajzat që e thirrën atë të shtunë, në datën 22 maj 2010, vogëlushen Bleona Mata në mal me bagëti, mbajnë ndonjë sekret të patreguar, sepse siç tha një efektiv i policisë së Kukësit, që kishte marrë pjesë në kërkim, “vajzat nuk e kanë thirrur kot së koti Bleonën në mal dhe as nga dashuria për të, se përndryshe nuk do ta linin vetëm”. Por pesë vajzat e rritura, përfshi hallën e Bleonës, janë marrë në pyetje disa herë nga policia në Kukës dhe nga prokurorët në Tiranë dhe sërish janë lënë të lira. Nga ana tjetër, thashethemet dhe hamendjet e njerëzve kanë krijuar një odise të mjegullt për ngjarjen. Bleona u mediatizua aq shumë, sa diskutime për të gjen në mjedise të ndryshme, ku njerëzit thotë se 6-vjeçarja është dërguar në Maqedoni që në ditën e humbjes dhe me qëllim të caktuar është vonuar njoftimi i policisë, e cila është orientuar drejt kërkimit në mal, ku vërtet humbi plot tri javë. Të tjerë komentojnë se Bleona është zbuluar diku në bregdet, në Durrës, ku për të ka pasur edhe arrestime, të tjerë akoma e hamendësojnë edhe si një krim brenda familjes e kështu me radhë. Por asgjë nga këto nuk konfirmohet nga policia dhe prokuroria, e cila në të vërtetë, ditë më parë ka thënë se në horizont duket një dritë jeshile. Por ndoshta ajo dritë është thjesht një mirazh.
#