Halimi: Tani nis depolitizimi dhe transparenca e gjyqësorit
Sekretari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Eduard Halimi, deklaroi se në këto pesë vite, mazhoranca ka bërë përpjekjet maksimale për reformimin dhe pavarësinë e gjyqësorit. Në një intervistë për “Shqip”, Halimi thekson se nisma e fundit e ndërmarrë për këtë qëllim, është edhe votimi i hapur i dekreteve të Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe ata të Kushtetueses. Po kështu, deputeti i PD-së vë në dukje, se në kundërshtim me praktikën e socialistëve, demokratët nuk kanë emëruar në këto funksione kandidatura politike. Por Halimi nuk i kursen kritikat ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që sipas tij po zbaton me vonesa të pajustifikueshme ligjin për emërimin e magjistratëve si gjyqtarë në dy shkallët e para. Sipas tij, ky qëndrim i KLD-së shkon në kundërshtim me investimin e madh që mazhoranca ka bërë për Shkollën e Magjistraturës.
çfarë do të thotë miratimi i rezolutës të eurodeputetit Chountis për procesin e integrimit të vendit tonë dhe liberalizimit të vizave?
Sigurisht që miratimi i rezolutës së bashku me amendamentet shumë të rëndësishme që u miratuan dje, me një shumicë gati absolute, është një inkurajim i madh për gjithë shqiptarët dhe sidomos për qeverinë, duke certifikuar reformat dhe punën e saj disavjeçare për integrimin e Shqipërisë në BE. është një lajm i mirë për gjithë shqiptarët se ëndrra e tyre për të lëvizur është më afër se kurrë! Sigurisht që ky lajm nuk është i mirë vetëm për Edi Ramën, i cili u përpoq të kalonte një rezolutë kundër liberalizimit të vizave, duke e lidhur këtë proces me ngërçin politik që ka sajuar Edi Rama.
Në rezolutën e Parlamentit Europian theksohet se Shqipëria ka nevojë për një gjyqësor të fortë, të paanshëm dhe larg presioneve politike. Cilat janë masat që po merren në këtë drejtim? A e ndihmon ketë ndryshimi i Rregullores së Parlamentit, apo shkon në kahun e kundërt siç pretendon dhe PS?
Shqipëria ka vërtet nevojë për këtë sistem drejtësie, që të jetë mbi të gjitha i përgjegjshëm dhe llogaridhënës ndaj ligjit. Gjyqësori duhet të jetë absolutisht i paanshëm dhe i pavarur nga politika, por sigurisht jo i pavarur nga ligji. Parlamenti dhe politika në përgjithësi kanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet drejtësia në Shqipëri dhe për përpjekjet për të bërë progres në këtë sistem. Ashtu siç e dini, gjyqësori përbëhet nga Shkalla e Parë, Apeli dhe Gjykata e Lartë. Formimi i trupës gjyqësore është momenti më i rëndësishëm në reformën në drejtësi. Nëse kjo trupë gjyqësore vjen nga politika, apo forma kulisash dhe pazaresh, sigurisht që dhe performanca e saj do të jetë jo pozitive. Parlamenti bënë emërimin vetëm të shkallës së lartë, por ai është përgjegjës edhe për shkallët e tjera, sepse ka përcaktuar rregullat e emërimit të Shkallës së Parë dhe Apelit. Katër vjet më parë ne hartuam ligjin duke kërkuar që shkalla e parë dhe e dytë të formohet vetëm nga gjyqtarë që dalin nga Shkolla e Magjistraturës, duke bërë një hap impresionues se formimi i gjykatave duhet bërë larg kulisave, miqve dhe korrupsionit. Ashtu siç e dini, Shkolla e Magjistraturës ka një besueshmëri të lartë, integritet dhe transparencë në përzgjedhjen e kandidateve. Por ligji me gjithë përpjekjet e mazhorancës u miratua në atë kohë me një amendament të PS dhe KLD që kërkonin 10% jashtë sistemit të magjistraturës. Kështu, Parlamenti që para 4 vjetëve ka bërë një hap të rëndësishëm në formimin e gjykatave jashtë ndikimit politik. E ngritëm shkollën në nivelin më të lartë të mundshëm. I dhamë asaj besimin maksimal dhe treguam qartë vullnetin se burim të vetëm për formimin e gjyqësorit do të kishim vetëm shkollën e cila monitorohet nga KiE, larg çdo ndikimi politik. I mbetej KLD që të zbatonte ligjin ashtu si ligjvënësit kanë pasur vullnetin.
Unë jam njeri që kam një vlerësim maksimal për Shkollën e Magjistraturës dhe më vjen keq ta them se qëndrimi i KLD duke emëruar vetëm para një jave magjistratët, të cilët duhej të emëroheshin në shtator të 2009 dhe duke i çuar ata në pikat më të largëta të sistemit, është jo vetëm i kritikueshëm, por shkon krejtësisht në kahun e kundërt të mbështetjes që kjo mazhorancë i ka dhënë kësaj shkolle. Me vjen vërtet keq që ky qëndrim ka sjellë një dëmtim të imazhit dhe rolit vendimtar që i është besuar kësaj shkolle në formimin e trupës gjyqësore.
Për sa i përket pjesës tjetër të sistemit të drejtësisë, Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, pjesë që i përket plotësisht Parlamentit të përgjigjet për përbërjen e saj, jemi duke bërë hapin më të madh cilësor në këtë proces. Edhe pse jemi në mazhorancë, i kemi bërë të qartë gjithë publikut se ne nuk do të kërkojmë të promovojmë asnjë kandidat i cili ka pasur funksione politike në këta 20 vjet demokraci. E kemi bërë këtë duke bërë një hap shumë të rëndësishëm drejt pavarësisë së këtyre gjykatave, duke hedhur pas një traditë të shëmtuar të formimit të tyre, me njerëz të lidhur fort me politikën siç ka vepruar PS. Jemi duke i dhënë fund një praktike të tillë si ajo e kalimit të ministrave në kryetarë gjykatash të larta, që pastaj bërtasin se janë të pavarur, të kalimit të deputetëve të partisë në anëtarë gjykatash, që pastaj bërtasin se janë të pavarur, apo kryetarëve të komisioneve parlamentare në kryetarë të Gjykatës Kushtetuese, që përsëri kanë bërtitur për 9 vjet se janë të pavarur, dhe kanë qarë me lot krokodili për pavarësinë e gjyqësorit.
Ne po bëjmë një hap të madh në këtë proces, duke e bërë dhe votimin e hapur, transparent për gjithë publikun i cili ka jo vetëm të drejtë ta dijë, por edhe të na kritikojë hapur nëse politika këtë hap nuk e ka të ndershëm, por e ka hipokrit. Ky është dhe qëllimi i miratimit të ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit. Ndaj dhe unë them pa ndrojtje se PD brenda këtyre 5 vjetëve ka bërë hapin më të rëndësishëm në historinë e këtij vendi, për pavarësinë e sistemit gjyqësor, duke i kërkuar KLD-së të mos emërojë asnjë gjyqtar në shkallën e parë dhe apel që nuk vjen nga Shkolla e Magjistraturës, dhe duke mos pranuar të çojë në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese asnjë person i cili ka qenë i lidhur me politikën e majtë apo të djathtë, drejtpërdrejt apo tërthorazi. Këto hapa janë hapa për t’u përshëndetur dhe që kanë për të sjellë një rritje të besimit të publikut te drejtësia.
Parlamenti është duke diskutuar ligjin “për faljen”. Mazhoranca synon që emërimi i propozimeve për faljen e të dënuarve të bëhet nga ministri i Drejtësisë, ndërsa vendimi i faljes të merret nga Presidenti. Pse kërkohet të ndërmerret ky vendim dhe a cenon ai të drejtat e Presidentit?
Kushtetuta jonë parashikon qartë të drejtën ekskluzive të Presidentit për të akorduar faljen, dhe kjo absolutisht nuk është prekur. Ajo që përcakton dispozita kushtetuese është e drejta e presidentit për të nxjerrë dekretet e faljes sipas procedurës që parashikon ligji. Pikërisht këtë ka bërë dhe Ministria e Drejtësisë, ka sjellë një ligj për procedurën. E deri këtu nuk ka asnjë cenim të kompetencave. Shpjegimi i dhënë nga Ministri i Drejtësisë në lidhje me këtë çështje ka qenë i gjatë dhe ezaurues dhe unë nuk dua të zgjatem më tej. Mund të shtoja vetëm një argument, atë të standardeve të vendeve të tjera. Mjafton të shohim Italinë, vendi nga i cili ne kemi marrë Kodin Penal, që parashikon dhe institutin e faljes dhe dispozitën e Kushtetutës italiane, të cilat janë të njëjta, dhe po kështu dhe përcaktimet ligjore procedurale që ta kanë bërë për faljen janë në të njëjtën linjë me ato që Ministri i Drejtësisë ka sjellë.
#