Mbërrijnë dokumentet për tre gjyqtarët e Lartë
Javën e ardhshme, Komisioni Parlamentar i çështjeve Ligjore do të zhvillojë seancat dëgjimore me kandidaturat e ardhura nga Presidenti Topi për Gjykatën e Lartë. Ndonëse ndryshimet e bëra në Rregulloren e Kuvendit i lënë afat mazhorancës edhe dy muaj të tjerë për të marrë në shqyrtim këto kandidatura, mësohet se shqyrtimi i tyre nuk do të vonojë dhe do të nisë menjëherë pasi komisioni të mbyllë diskutimet për ligjin e faljeve. Nga ana tjetër, bëhet e ditur se në sekretarinë e Komisionit të Ligjeve është depozituar i gjithë informacioni i kërkuar nga institucionet e tjera për të shkuarën profesionale të kandidaturave të dekretuara nga Presidenti Topi. Po kështu, burimet brenda mazhorancës bëjnë të ditur se tri kandidaturat e ardhura nga Presidenca, tashmë u janë përgjigjur me shkrim edhe pyetjeve të ardhura nga anëtarët e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, duke u krijuar mundësinë deputetëve t’i njohin ata më gjerë për të kaluarën profesionale. Këto forma të reja të njohjes profesionale të kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese po fillojnë të zbatohen pas kritikave që mori mazhoranca në lidhje me rrëzimin e kandidaturës së Vangjel Kostës për Gjykatën Kushtetuese. Po kështu, tri kandidaturat e Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë do të jenë të parat dekrete të cilat do të miratohen në Kuvend nëpërmjet votimit të hapur, pas ndryshimit të rregullores së Kuvendit që u bë tri ditë më parë. Presidenti Bamir Topi ka dekretuar si kandidatura për Gjykatën e Lartë, Vexhi Muçmatajn, Sokol çomon dhe Medi Bicin.
#