Bler e Bush, marrëveshje për luftën që në 2002
Një parlamentar britanik do t’i japë faktet komisionit që heton për Irakun
Lideri i deputetëve të Plaid Cymru, një parti e Wellsit ka deklaruar se ka një dokument ku tregohet se Bush dhe Bler lidhën një marrëveshje të fshehtë mes tyre për të sulmuar Irakun, një vit para luftës që nisi në vitin 2003. Elfyn Llwyd deklaroi për BBC se i kishte shkruar drejtuesit të hetimit për Irakun në lidhje me këtë dokument të cilin ai donte që ta dorëzonte. Ai tha edhe se dokumenti i konsideruar si “Top Secret” bie në kontradiktë me deklaratat e bëra nga Bler para panelit një javë më parë. Ai ka thënë se nuk kishte bërë asnjë marrëveshje më parë me Bushin në lidhje me fillimin e luftës në Irak. Parlamentari në vitin 2004 nisi një fushatë për hetimin e Kryeministrit Bler në lidhje me dizinformimin e Parlamentit në lidhje me luftën, tha se nuk mund të ishte shumë specifik për përmbajtjen e saj, por sipas tij, ai besonte se dokumenti kishte origjinë amerikane. E vetmja gjë për të cilën deputeti ngulmon është kontradikta mes përmbajtjes së dokumentit dhe dëshmisë së Toni Blerit. Deputeti është i vendosur që t’ia zbardhë të gjitha informacionet që di dhe posedon kreut të panelit që merret me hetimet. Dëshmitarë të ndryshëm që kanë dalë ndërkohë para panelit kanë hedhur dritë mbi një marrëveshjeje të mundshme mes Bler dhe Bush një vit para luftës, në vitin 2002 në fermën e Teksasit, por vetë Bler po para komisionit e ka mohuar ekzistencën e këtij pakti.
#