E Diel, 1 Nëntor 2026

Leku forcohet kundrejt euros, humbet kundrejt dollarit

Kursi

Monedha shqiptare u forcua dje për ditën e dytë radhazi kundrejt monedhës së përbashkët europiane. Agjencitë e këmbimit valutor thanë se shkaku i forcimit ka qenë volumi i pakët i shitblerjeve në treg. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, euro kushtoi dje 138.45 lekë, 0.7 për qind më lirë sesa kulmi i shënuar ditën e martë në kuotën 139.39 lekë. Kundrejt dollarit, leku humbi 1 për qind si pasojë e forcimit të monedhës amerikane në tregun ndërkombëtar. Dollari kushtoi mesatarisht 101 lekë, kuota më e lartë e shënuar që nga maji i vitit të kaluar. Për shkak se vetëm 20 për qind e importeve shqiptare janë në dollarë dhe për shkak se një pjesë shumë e vogël e prurjeve valutore nga jashtë kryhen në këtë monedhë, leku ndjek euron në kuotimin kundrejt monedhës amerikane. Tregu i këmbimit valutor me pakicë as dje nuk pasqyroi tendencën e përgjithshme në tregun ndërbankar me shumicë. Sipas të dhënave të agjencive ndërkombëtare të informimit, euro kushtoi pasdreken e djeshme 137.8 lekë. Tregu ndërbankar ku qarkullojnë shuma të mëdha, zakonisht i paraprin ecurisë së tregut me pakicë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›