E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bler, një fushatë shumëngjyrëshe

23/04/2005  Të gjithë janë duke pyetur se çfarë ka ndodhur pas mureve të numrit 10 në Downing Street? Çfarë e ka bërë Kryeministrin britanik, Toni Bler, kaq papritur rrezëllues, dy javë para zgjedhjeve të përgjithshme në Britaninë e Madhe? Për t’i dhënë pak ngjyrë një fushate elektorale që është zhvilluar deri tani, pa asnjë skandal të veçantë, tabloid-ët britanikë po merren me abronzaturën që ka marrë Bler dhe me këtë temë ka bërë edhe një sondazh. ǒtë jetë vallë, një krem ngjyrues, rreze ultraviolet për t’u nxirë apo ngjyrë natyrale? Sipas “Daily Express”, ndërsa Britania po përgatitet për të vendosur se kë do të votojnë më 5 maj, vlerësimi i dhënë për Partinë Laburiste të drejtuar nga Bler, vërtitet te 36 për qind, por që po kërcënohet nga Konservatorët, me rreth 33 për qind, gazetat ngrenë pyetje më hokatare. Si ka mundësi që javët e fundit Kryeministri është shfaqur gjithnjë i zbehtë dhe papritur ka marrë ngjyrë? Gazetat britanike, së fundmi, kanë publikuar dy fotografi të Kryeministrit Bler, njëra e shkrepur të premten e kaluar dhe tjetra një ditë më parë. Duke bërë krahasimin e tyre është vënë re ngjyra e lehtë që ka marrë kreu i qeverisë. Në një intervistë radiofonike, Bler ka pranuar se ‘ngjyra’ e tij është falë një fundjave të kaluar duke lexuar në kopshtin e shtëpisë së tij. Por edhe këtë herë Kryeministri harroi që atë fundjavë dielli në Britaninë e Madhe ishte i fshehur pas reve dhe nuk u shfaq pothuajse fare. Kjo na kujton të gjithëve një ngjarje të ngjashme me kandidatin John Kerry, dhe me sa mbajmë mend, kandidati nuk pati aspak fat në zgjedhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›