Vdes 65-vjeçari nga konsumimi i alkolit
22/04/2005 TIRANË- Humb jetën nga pija e tepërt një i moshuar. Rreth orës 16:30 të ditës së djeshme, te vendi i quajtur "Xhamlliku", poshtë "Profarmës", një plak 65-vjeçar i paidentifikuar ka humbur ekuilibrin dhe më pas ka rënë në çimento. Konsumimi i lëndëve të tepërta narkotike e ka detyruar të moshuarin të shtrihej përtokë dhe të përpëlitej, duke kërkuar ndihmë për jetën. Kalimtarët dhe të pranishmit i kanë dhënë ndihmën e parë të moshuarit, ndërsa sipas tyre i viheshin re disa shenja në anën e pasme të kafkës. Banorët e lagjes thanë dje për gazetën, se nuk e kishin parë këtë njeri asnjëherë dhe se ishte hera e parë që ai vinte në këtë zonë. Fillimisht ai kishte shkuar të pinte alkol te një nga lokalet e lagjes, ndërsa pronarja nuk e kishte lejuar, pasi vuri re më parë se ai ishte në gjendje të dehur. Pasi nuk i doli gjë, i moshuari u ul në çimento, ku u mendua për disa minuta. Mori rrugën dhe humbi ekuilibrin. Aty gjeti vdekjen e menjëhershme. Burimet e morgut dhe të Policisë së Tiranës thanë, se i paidentifikuari gjeti vdekjen nga konsumimi i tepërt i alkolit. Policia i ka bërë thirrje opinionit kryeqytetas, se nëse ka informacione rreth identitetit të tij, çdokush mund të paraqitet në morg për të dhënë ndihmën e duhur.