E Hënë, 2 Nëntor 2026

Perez de Kuelar shpëton shqiptarët e mbyllur në ambasadën italiane

23/04/2005  Si i shpëtoi sekretari i OKB-së, De Kuelar gjashtë shqiptarët të mbyllur për pesë vite në ambasadën italiane? Vizita e sekretarit të OB-së në burgjet e Burrelit. Cilat ishin porositë e diplomatit amerikan për ndryshimin e sistemit? Kur hyri në fuqi ligji për daljen e lirë të shqiptarëve jashtë kufijve? Cilat ishin ngjarjet që pasuan ditët e para të korrikut në vitin 1990? Si reagoi qeveria e Ramiz Alisë? Cila ishte thirrja e udhëheqësit shqiptar ndaj atyre që kishin pushtuar gardhet e ambasadave? Cila ishte përmbajtja e letrës që i dërgoi Ismail Kadare Ramiz Alizë në lidhje me formimin e partive të reja?

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot. Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX.

Rezultati i vizitës së Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Perez De Kuelar, qe dhe fundi i robërisë për gjashtë shqiptarët, të cilët kishin hyrë në ambasadën italiane në dhjetorin e vitit 1985. Atyre iu sigurua largimi pa pengesa nga vendi. Sipas një marrëveshjeje paraprake, Peres de Kuelari vizitoi vendet ku kryhej dënimi, midis tyre edhe burgun famëkeq të Burrelit.

Ai mbeti i shokuar nga ato që pa, ndonëse administrata kishte bërë përmirësimet e mundshme të territorit e mjediseve. Pasi mbaroi vizitën, miku i lartë, përshëndeti daljen e Shqipërisë në arenën Europiane, por u deklaroi prerazi bashkëbiseduesve se pa çmontimin e sistemit të dhunës, pa përmirësimin rrënjësor të gjendjes të respektimit të të drejtave të njeriut, Shqipëria nuk mund të shpresonte të merrte pjesë gjerëisht në organizatat ndërkombëtare.

Në tërsi, qeveria shqiptare nuk synonte vetëm të krijonte përshtypjen e hapjes, por ndërmori hapa konkretë për liberalizimin e regjimit. Shoqëria “vlonte”, duke marrë impulse nga jashtë e nga brenda dhe që kazani të mos shpërthente, duhej hapur kapaku. U hoq dënimi me burg për tentativë arratisjeje, dhe siç u përmend më lart, u dha e drejta e marrjes së pasaportës për jashtë shtetit pa pagesë. Por vetëm shprehja e dëshirës për të vepruar me mënyrë të qytetëruar qe e pamjaftueshme dhe çoi në pasoja shkatërruese të paparashikueshme. Ligji për daljen e lirë nga vendi hyri në fuqi më 1 korrik. Por mosbesimi në deklaratat e qeverisë kishte hyrë aq thellë në mishin e në gjakun e njerëzve të thjeshtë, që kishte hequr tej mase nga ai pushtet, sa shumë prej tyre, pa pritur që makina e ngathët e burokracisë të ngrinte sipas ligjit traun e kufirit, u derdh drejt lirisë nëpërmjet ambasadave të huaja.

Në ditët e para të korikut, rreth 6 mijë të rinj u futën në ambasadat e shteteve të huaja, duke kërkuar strehim politik. Në fillim hynë në veprim shkopinjtë e policisë. Demonstratat e heshtur paqësore në mbështetje të të ikurve dhe në mbrojtje të të drejtave të njeriut në Tiranë, u shpërnda me ashpërsi. Por njerëzit vazhdonin të qëndronin përreth ambasadave të huaja. Për ti treguar opinionit publik europian se Shqipëria ishte një vend, që kishte hyrë me bindje në udhën e demokratizimit dhe liberalizimit, qeveria udhëzoi dhënien e pasaportave të gjithë atyre personave, që donin të iknin dhe siguroi largimin e tyre nga ajri dhe nga deti. Më 31 korrik u rishikua edhe njëherë kodi penal, sipas të cilit, tashmë, kalimi i kufirit nuk cilësohej si tradhëti ndaj atdheut.

Me thjeshtimin e procedurave për marrrjen e pashaportës e vizës dhe me krijimin e Komitetit për punësimin e qytetarëve jashtë shtetit, gjendja filloi disi të normalizohej. Por lindën vështirësitë për marrjen e vizave të daljes, që, sidoqoftë, nuk i pengoi ata që donin të emigronin. Nga fundi i dhjetorit të vitit 1990, deri në fillimin e marsit të vititi 1991, qytetarët shqiptarë të pajisur me pashaporta, por pa viza vërshuan me mijëra drejt Greqisë dhe zbarkuan me anijet e rrëmbyera nga brigjet italiane. Qeveritë greke, italiane u detyruan të merrnin masa kufizuese kundra këtyre dyndjeve e të përdornin gjithfarë mënyrash për t’i kthyer ikanakët në atdhe.

“Kriza e emigrantëve” e korrikut të vitit 1990 qe tronditja më e madhe në jetën e shoqërisë shqiptare. Ngjarjet e korrikut shkaktuan reaksione të kundërta në qarqet drejtuese. Në plenumin e KQ të PPSH-së, të korrikut të vitit 1990, Alia dënoi me shprehje të ashpra aktin antipatriotik të të rinjve, të cilat në vend që të shfrytëzonin derën e hapur, u hodhën në ambasadat e huaja nga gardhet, duke dëmtuar me këtë besimin te qeveria. Plenumi bëri ndryshime në kuadro.

Lanë postet në Byronë Politike e në qeveri përfaqësuesit e “gardës së vjetër”, midis të cilëve dhe bashkëluftëtarët besnikë të Enver Hoxhës, Manush Myftiu e Rita Marko. Vendet e tyre i zunë persona nga e njëjta nomenklaturë partiake, por që përqafonin pjesën aktive të KQ të PPSH-së.

“Partia e së vesë” siç e quajtën njerëzit e grumbulluar rreth Nexhmije Hoxhës, vazhdonte të ndikonte mbi udhëheqjen e lartë të vendit dhe frika se mos procesi i ndrojtur i ndryshimeve social-ekonomike, i cili sapo kishte filluar, mund të ndalej si pasojë e kundërveprimit të partiakëve dogmatikë, vazhdonte të qe e pranishme. Kishte ardhur koha e “mbretërimit të forcave të errëta”, siç e përcaktuan më pas periudhën deri në zgjedhjet e marsit të vitit 1991, gjatë së cilës rojat e ortodoksisë enveriane kapeshin ethshëm pas çdo mundësie për të ruajtur rendin e vjetër. Sistemin e krijuar me anën e forcës i kishte lëshuar pozitat vetëm nën kërcënimin e forcës dhe, pasi qe tërhequr, përpiqej sërish të merrte revansh.

Gjendja e paqartë e krijuar në vend shkaktonte kundërveprime të ndryshme të intelektualëve shqiptarë. Radhëve të emgrantëve iu shtua papritur dhe shkrimtari Ismail Kadare. Më 25 tetor të vitit 1990, kur në Tiranë u hap mbledhja e ministrave të punëve të jashtme të vendeve të Ballkanit, ai i dërgoi Ramiz Alisë një letër, në të cilën thuhej se populli shqiptar vazhdonte të jetonte në kushte të njëjta me ato, kur i kërcënoheshin të drejtat qytetare elementare.

Vendi po shkon drejt katastrofës, shkruante ai, ndërsa udhëheqja nuk mund të ndahet nga ca koncepte arkaike e absurde, të cilat ndihmojnë afrimin e këtij fundi.

Për shkak se është e pamundur të ketë një opozitë legale-deklaroi ai- unë kam zgjedhur rrugën, të cilën nuk do të doja t’ia këshilloja askujt. Në mënyrën e vet, Kadareja kishte të drejtë. Në vend nuk kishte opozitë. E nga do të dilte ajo, kur mungonte tradita historike e pluralizmit, ndërsa mendimi ndryshe që çrrënjosur bashkë me mbartësit e tij në të gjitha kohët. Për këtë arsye të dëshpëruarit iknin, ndërsa ata, që nuk e humbisnin shpresën, qëndronin për të luftuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›