E Hënë, 2 Nëntor 2026

Miratohen lehtësirat për të marrë pensionin e parakohshëm

22/04/2005  Me 15 vjet siguracione përfitohet pensioni, përgratë shkolla përfshihet në skemë

Kuvendi ka miratuar dje uljen e periudhës që duhet të paguhet për të marrë pensionin e parakohshëm. Sipas ligjit, që ka marrë mbështetjen e të gjithë deputetëve, për t’u quajtur pensionist, nuk është e nevojshme të provosh se ke 35 vjet punë, por edhe me 15 vite punë që njihen nga shteti, nga 20 që ishte më parë, çdo njeri mund të marrë pension të parakohshëm. Por nuk do të lejohet që paralelisht me pensionin të vazhdohet me një tjetër punë. Vlera më e ulët, sipas llogarive do të jetë për një pensionist në fshat, që do të përfitojë 36 mijë lekë të vjetra.

Llogaritja

Duke iu përshtatur legjislacionit të BE-së, llogaritja e pensionit do të jetë duke indeksuar pagat e tre viteve të fundit të punës dhe duke i përshtatur ato me inflacionin përkatës. Kjo bëhet për të nxjerrë një pension sa më real me kontributin e dhënë. Në këtë mënyrë, sigurimet që do të paguhen në tre vitet e fundit të punës do të jenë dhe më përcaktuese. Sa më të larta që të jena aq më e lartë do të jetë dhe masa e pensionit që do të përfitohet. Në ndryshimet e bëra do të ketë lehtësira dhe për pensionin e invaliditetit. Për këta të fundit me ligjin e ri, për të përfituar pension invaliditeti, nuk është e nevojshme të kesh qenë i siguruar në momentin kur shfaqet sëmundja që të kategorizon si invalid. Në këtë mënyrë, në skemën e sigurimeve do të përfshihen dhe personat nën 18 vjeç si dhe të papunët, por që janë invalid. Drafti ka marrë dhe mbështetjen e qeverisë, duke garantuar mbështetjen nga Buxheti i Shtetit.

Universiteti

Ligji parashikon se për gratë do të quhet periudhë sigurimi dhe shkolla e lartë, sado që të zgjasë ajo. Ndërsa për meshkujt, periudhë e vlefshme për pension do të pranohet ushtria. Ligji aktual parashikonte që katër vitet e shkollës së lartë janë të siguruara për gratë. Por, duke marrë në konsideratë faktin se ka fakultete si mjekësia që zgjasin gjashtë vjet, ligji ka bërë ndryshimet e nevojshme, duke e pranuar limitin maksimal prej gjashtë vjetësh. Gjithashtu për të gjithë ata pensionistë, të cilët kanë dalë në pension para ’94-ës, llogaritja e pensionit nuk do t’u bëhet më me pagat fikse, por me pagat e indeksuara, duke iu referuar atyre viteve të punës.

Debati

Në përfundim të votimit, deputeti Fatmir Mediu tha se ka votuar kundër ligjit, sepse në Komisionin e Ekonomisë nuk është marrë parasysh një projektligj i propozuar prej një grupi deputetësh. Megjithëse ka qenë pro këtij drafti, Mediu tha se vota kundër ishte për shkak të shkeljeve të procedurave në këtë komision parlamentar. Ligji do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, pas së cilës çdokush ka të drejtën që të kërkojë pensionin e parakohshëm.

Ndryshimet në ligjin për sigurimet shoqërore

Ulet koha për pensionin e pjesshëm nga 20 në 15 vjet

Njihet si periudhë sigurimi 6 vitet e universitetit për gratë

Pensionet do të indeksohen çdo vit, duke futur elementë të rinj

Pensionistët mund të zgjedhin mes pensionit të pleqërisë dhe atij të invaliditetit, pensionin më të lartë

Personat pa shtetësi përfshihen në skemën shqiptare të sigurimit

Shtetasit e huaj nuk mund të zgjedhin legjislacionin më të favorshëm për sigurime, por vetëm atë shqiptar

Paga neto mesatare e 3 viteve rresht gjatë 10 viteve të fundit, indeksohet për efekt pensioni

Pensioni i invaliditetit përfitohet dhe kur nuk je i siguruar në momentin që shfaqet sëmundja

Shtohen dy të drejta për shtesë pensioni, kur ke nevojë për infermier dhe kur ke fëmijë nën 15 vjeç

Rritja e pagave

Buxhetorët

2.9% rritja e pagave për efekt inflacioni

8% rritja e pagave më 1 korrik

110 mijë punonjës buxhetorë përfitojnë

Pensionistët

10% rritja e pensioneve të qytetit

20% pensionet e fshatit

554 mijë pensionistë përfitojnë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›