E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Të fala nga Rusia”

30/04/2005  Histori spiunësh mes Gjermanisë dhe Rusisë

Për vite të tëra, një konsull rus spiunoi mbi ushtrinë gjermane. Zyrtarët e diktuan dhe u përpoqën ta kthejnë në një dezertor rus. Teksa situata nisi t’u shpërthejë në duar, zyrtarët gjermanë nxituan t’i japin fund në fshehtësi kësaj çështjeje – për të mos rrezikuar marrëdhënien aktuale gjermano-ruse të dashurisë

“Nëse dëshironi të dini se çfarë flasin në celularë parlamentarët gjermanë, shkoni e pyesni rusët”, thoshte para disa ditësh me sarkazmë një agjent gjerman. Në disa raste, rusët nuk e fshehin veprimtarinë e tyre. Tarraca e ambasadës ruse – në rrugën qendrore të Berlinit, unter den Linden – ka disa antena të veçanta. Një guxim i tillë vazhdon t’i befasojë agjentët gjermanë

Qyteti i vogël Amorbah në Odenvald, në jug të Frankfurtit, ofroi një rast unik nëntorin e kaluar. Ashtu si në ditët e dikurshme të Luftës së Ftohtë, agjentë specialë gjermanë përgjonin vjedhurazi në rrënojat e një konvente mesjetare Benediktine dhe nisën të ndjekin një njeri të paklasifikuar, në mes të dyzetave, i cili, me sa dukej, po priste dikë tjetër në një restorant të qytetit 4220 banorësh.

Nën vëzhgimin e agjentëve, një anëtar i ushtrisë gjermane hyri në restorant. Ai kishte me vete dokumenta të klasifikuar që përmbanin informacione në lidhje me telekomunikacionin dhe teknologjinë ushtarake. Siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën, dokumentat ndërruan duar menjëherë dhe në qetësi. Njeriu që i mori në dorëzim foli gjermanisht me një aksent të rëndë rus, dhe pagoi një shumë të majme. Me transaksionin e përfunduar dhe xhepin plot, oficeri i ushtrisë u ngrit dhe u largua nga restoranti. Burri tjetër mbeti pas, për të paguar llogarinë. Sapo mbaroi punë, ai u kap menjëherë nga agjentët gjermanë. Kur e arrestuan, agjentët zbuluan se kishin të bënin me një diplomat rus.

Që atëherë, operacioni është kthyer në legjendë – një prej skandaleve më dramatikë të spiunazhit që nga rënia e Murit të Berlinit në 1989. Ai ka të gjithë komponentët e një trilleri interesant spiunazhi: tradhti, ndjekje dhe një skandal diplomatik. Në fakt, ai madje e detyroi 45-vjeçarin Aleksandër Kuzhmin, konsull rus, që të rikthehej më herët në vendin e tij. E vërteta është se Kuzhmin kishte punuar gjatë kësaj kohe për shërbimin e fshehtë të ushtrisë ruse, GRU. Misioni: Të spiunonte mbi ushtrinë gjermane.

Ky rast ilustron se sa të etur janë, 15 vjet pas rënies së Perdes së Hekurt, agjentët rusë për të kërkuar dhe gjetur informacione të fshehtë. Në fakt, Presidenti rus – edhe ai vetë një ish-agjent i KGB – dhe shërbimi i fshehtë i tij duket se i kanë dhënë një tjetër kuptim fjalës Glasnost. Për ta, tashmë kjo do të thotë spiunim, mbi miq e armiq.

Kjo çështje ka shpërthyer në kohën më të keqe të mundshme. Zyrtarisht, marrëdhëniet gjermano-ruse “nuk kanë qenë kurrë më të mira”, thotë Gernot Erler, i Partisë Socialdemokrate në pushtet. Kohët e fundit, Shrëder e Putin janë parë shpesh në takime të qeshin e të bëjnë shaka së bashku. Dy javë më parë, të dy brodhën së bashku deri në orën 13:00 nëpër Panairin e Hanoverit të mallrave industrialë. Shrëder ngriti dolli për atmosferën miqësore si dhe kontratat e saponënshkruara ekonomike mes dy vendeve – përfshirë një marrëveshje për të ndërtuar një gazjellës në Detin Balltik, duke i quajtur kontrata të “dimensioneve historike”. Për Putin, ai nuk kishte veç vlerësim.

Nga ana e tij, Putin po tregon se është një lojtar i paparashikueshëm ndërkombëtar. Në vitet që ka kaluar në KGB, ai ka kaluar shumë kohë në qytetin gjerman të Dresdenit dhe di diçka për kulturën gjermane. Kohët e fundit, ai ka treguar se investimet ekonomike nuk janë qëllimi i vetëm. Putin kërkon edhe informacion të brendshëm. Kremlini, për shembull, është i etur për të mësuar pikëpamjen e brendshme gjermane në lidhje me çështjen e Çeçenisë, si dhe të shkëpusë detaje të fshehur në lidhje me NATO-n.

“Nëse dëshironi të dini se çfarë flasin në celularë parlamentarët gjermanë, shkoni e pyesni rusët”, thoshte para disa ditësh me sarkazmë një agjent gjerman. Në disa raste, rusët nuk e fshehin veprimtarinë e tyre. Tarraca e ambasadës ruse – në rrugën qendrore të Berlinit, unter den Linden – ka disa antena të veçanta. Një guxim i tillë vazhdon t’i befasojë agjentët gjermanë. Në mënyrë të veçantë, agjencia e shërbimit të fshehtë të ushtrisë, GRU, po punon në “shkallë të gjerë”, thotë Uolbert Shmid, që punon për shërbimin e fshehtë gjerman dhe që ka drejtuar për shumë vite programin e spiunazhit gjerman kundër Rusisë. “Shumë pak gjëra kanë ndyrshuar”, thotë ai.

Kur Kuzhmin u dërgua në Konsullatën ruse në Hamburg, në verën e vitit 2000, ai thjesht zëvendësoi paraardhësin e tij në rolin e kryespiunit. Konsullata është një degë e vogël e ambasadës më të fuqishme ruse në Berlin dhe është e vendosur në liqenin Alster. Kuzhmin mbërriti nga Moska me të shoqen Fljusa, por pa vajzën e rritur, dhe shumë shpejt u bë konsull. I qetë siç është, Hamburgu u konsiderua vendi i përkryer prej nga mund të merrej dhe kanalizohej informacioni që vinte nga rangjet e larta të forcave të armatosura gjermane.

Duke spiunuar spiunët

Kuzhmin e takoi burimin e tij në restorant afro 20 herë përpara se të kapej dhe takimet i organizonte gjithmonë në pabe ose restorante të vegjël në qytete të largët të jugut të Gjermanisë. Rusi po përpiqej të merrte informacione në lidhje me sistemin gjerman të armatimit, kode sekretë të forcave të armatosura si dhe çdo detaj që mund të zbulonte për trupat. Shërbimi i sigurimit i ushtrisë gjermane vlerëson se mund të kenë kaluar afro 100 000 euro nga duar gjermane në duar ruse. Burimet ofronin nganjëherë dokumenta, nganjëherë disqe kompjuteri.

Ajo që nuk dinte Kuzhmin, ishte se informatori i tij i restorantit kishte rrëfyer më parë në MAD, për atë që po ndodhte. Më pas, shërbimi i fshehtë gjerman e përdori si agjentë të dyfishtë, që pretendonte se i shiste rusëve dokumenta, por që ndërkohë u tregonte gjermanëve gjithë sa ndodhte në çdo takim.

Më pas, MAD, verën e kaluar, nisi një operacion të pazakontë edhe për botën e errët të spiunëve. Nëse ata do të bindnin Kuzhminin që të bëhej edhe ai vetë një agjent i dyfishtë, atëherë mund të realizonin një grusht të paprecedentë spiunazhi. Deri tani, asnjë agjent i fshehtë perëndimor nuk ka infiltruar në GRU. Askush nuk e di saktësisht sa agjentë punojnë për agjencinë, por numri i tyre vlerësohet të jetë afro 12000. Përvetësimi i Kuzhmin do të ishte edhe një farë hakmarrje për dezertimin e spiunit gjerman Tiedge, në vitin 1985.

Plani në veprim

Për të testuar ujërat, agjentë gjermanë i dërguan fshehtësisht një copë letër Kuzhminit, me një numër telefoni në Këln, ku i kërkonin të bënte një telefonatë. Në gjuhën e koduar të spiunëve, ky është një mesazh i pagabueshëm. Ai ishte zbuluar. Kuzhmin mori mesazhin, por nuk telefonoi kurrë. A kishte frikë?

Gjermanët u përpoqën të provojnë një tjetër taktikë. Në një të premte të vrenjtur, në mes të qershorit, një ekip agjentësh të CIA dhe anëtarë të MAD u takuan me diplomatin në bregun e lumit Alster. Ata menduan të tregohen të drejtpërdrejtë dhe u përpoqën t’i mbushin mendjen. E kotë. Më pas, gjermanët i dhanë kohë konsullit të mendohej për propozimin e tyre dhe e lejuan të kthehej në Moskë për pushimet vjetore. Kur të kthehej, arsyetuan ata, do ta shtrëngonin pak darën. Spiunazhi është një biznes i pisët. Paratë dhe shantazhi janë mjete standarde veprimi, jo vetëm në Rusi. Kundërspiunazhi funksionon në të njëjtën mënyrë dhe Gjermania nuk bën përjashtim.

Agjentë të MAD zbuluan se konsulli kishte një dashnore, dhe se e shoqja nuk dinte gjë. Ata kishin dëgjuar gjithashtu zëra se konsulli kishte falsifikuar shpesh herë pasaporta, në këmbim të mijëra eurove.

U duk se konsulli ishte kandidati ideal për të bërë shantazh. Këtë herë, gjermanët iu afruan të shoqes. Ishte përpjekja e tyre e tretë dhe e fundit.

Kur Kuzhmin nuk regaoi sërish, agjentët e MAD dhe të CIA-s e hodhën në erë mbulesën e tij, duke e kapur në Amorbach. Ata lejuan agjentin e tyre të dyfishtë që të largohej. Më pas, i dhanë Kuzhmanit zgjedhjen finale: bashkëpunim ose përplasje, tradhti ose refuzim. Çdokush mund të spekulojë, përse diplomati refuzoi të bashkëpunojë. Ndoshta nga frika: Në Rusi, ndëshkimi për tradhti është vite të tëra burg.

Kjo i la në një pozitë shumë të sikletshme agjentët dhe politikanët gjermanë – pak a shumë, siç ndihesh kur kap duke vjedhur një shok të ngushtë. Tani u duhej të mendonin se çfarë të bënin. Putini ishte, në fund të fundit, miku i Kancelarit të tyre.

“Kancelari e njeh traditën e pakëndshme të spiunazhit, por përpiqet të mos ndikohet prej saj”, thotë anëtari i PSD dhe ekspert i çështjeve ruse, Erler. Megjithatë, nuk ishte vetëm marrëdhënia e Shrëderit me Putinin që i bëri dy palët të kërkonin një zgjidhje të pranueshme. BND, Agjencia gjermane e zbulimit të huaj, i njeh mirë gjithashtu lojërat e spiunazhit dhe kryen të njëjtin lloj operacionesh në Rusi.

Kur të gjithë shpresat për të bërë të dezertojë zyrtarin e lartë rus ishin shuar, Heinz Fromm, kreu i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetuës, hipi në avionin e radhës për në Moskë.

Fromm, i cili drejton sektorin e kundërspiunazhit, kërkoi një takim për bisedime të përgjithshme me agjencinë ruse të shërbimit të spiunazhit të huaj. Ai dëshironte të jepte përshtypjen se ndodhej në një vizitë rutinë. Krejt me mirësjellje, Fromm i foli kreut të agjencisë ruse, Sergei Lebedev, i cili ka marrëdhënie të ngushta me Gjermaninë, në lidhje me rastin e Kuzhmin. Lebedev, një folës shumë i mirë i gjermanishtes, premtoi se do të bënte gjithë sa mundej për të zgjidhur këtë çështje.

Kjo ndodhi më 3 dhjetor 2004. Dy ditë më vonë, Kremlini thirri në Moskë diplomatin e vet dinamik. Një herë e përgjithmonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›