E Diel, 1 Nëntor 2026

Blerja e ish-hotel "Dajtit", Fullani mohon shmangien e Këshillit Mbikëqyrës

Sipas kreut të BSH-së, blerja ka qenë tërësisht në përputhje me kuadrin ligjor

Ervin KOÇI

Blerja e ish-hotel “Dajtit” nga institucioni i Bankës së Shqipërisë në shumën e 30 milionë eurove vazhdon të jetë i mbuluar nga një hije dyshimi me gjithë pretendimet e guvernatorit të BSH-së, Ardian Fullani, se ka zbatuar ligjin. Këto dyshime bëhen më të mëdha kur mësohet se për këtë veprim guvernatori ka vepruar vetë dhe pa miratimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bakës, të cilit i merr mendime edhe kur kryen një tender për blerje kancelarie. Burime nga brenda BSH-së thonë për gazetën “Albania” se, “anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së nuk u është marrë në asnjë moment asnjë mendim ose sugjerim për këtë blerje super të kushtueshme, por është vepruar direkt nga guvernatori dhe stafi i tij i ngushtë”. Një mendim të përafërt ka shprehur disa kohë më parë për mediat edhe një prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, i cili i pyetur për blerjen e menjëhershme ka pohuar se “ishte informuar vetëm nga mediat”. Ndërsa pas dy javë komentesh dhe zhurme në media, vetëm dje numri një i BSH-së, guvernatori Ardian Fullani theu heshtjen duke folur për herë të parë për blerjen e ish-hotel “Dajtit” nga institucioni që ai drejton.

Guvernatori
Guvernatori Ardian Fullani nuk ka dhënë shpjegime për blerjen e ish-hotel “Dajtit” me vlerë 30 milionë euro nga institucioni që drejton, por ka lexuar vetëm deklaratën e përgatitur paraprakisht, ku thekson se BSH-ja do t’i rikthejë shkëlqimin e dikurshëm kësaj godine. “Ndihem plotësisht i kënaqur që u bë e mundur që BSH-së i ofrohet një mundësi e tillë për të blerë një nga godinat më të vlerësuara të kryeqytetit. Dua të theksoj se vendimi i Këshillit të Ministrave për shitjen e pronës shtetërore, ish-hotel ‘Dajti’, shënon fillimin e materializimit të një projekti të ideuar shumë vite më parë nga BSH-ja. Të gjithë procedurat që ka ndjekur dhe që do të ndjekë Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së nga momenti i publikimit të vendimit të Këshillit, deri në përfundimin e plotë të shitjes së këtij objekti do të vazhdojnë të jenë plotësisht transparente të bazuara në ligj. Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës shpreh angazhimin për gjallërimin dhe rikthimin e shkëlqimit të humbur të njërit prej objekteve me vlerat më të njohura jo vetëm për qytetarët e Tiranës, por për të gjithë publikun e gjerë shqiptar dhe më tej”,- theksoi Fullani. Sipas tij, blerja ka qenë tërësisht në përputhje me kuadrin ligjor dhe shënon materializmin e një projekti të ideuar vite më parë nga BSH-ja. Por një shpenzim i tillë nuk ishte parashikuar në buxhetin vjetor të BSH-së, e madje nga sa është mësuar as anëtaret e këshillit mbikëqyrës nuk kanë qenë në dijeni për këtë vendim.

Vendimet
Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së la dje të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në masën 5.25%. Sipas Guvernatorit, zhvillimet e fundit tregojnë se ekonomia po ecën në mënyrë të ngadaltë. Sipas tij, në këto muaj të parë është konstatuar një tkurrje e investimeve private. Ndërkohë që kredidhënia mbetet e orientuar drejt bizneseve, pasi kërkesa nga individët është tkurrur për 5 muaj radhazi. Megjithatë, kreu i BSH-së bëri thirrje për konsolidim të financave publike, pasi në terma afatgjatë, ky mbetet problemi kryesor për ekonominë. Guvernatori, tha më tej se ekonomia e eurozonës karakterizohet nga pasiguria për të ardhmen.

27 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›