E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blerja e makinerive dhe pajisjeve, kompanitë nuk kanë para të shlyejnë kreditë

Bankat private kërkojnë shlyerjen e kësteve nga kompanitë e biznesit. Gjatë prillit dhe majit, kërkesa për makineri e pajisje nga biznesi u rrit

Ervin KOÇI

Janë me dhjetëra kompani të mëdha të biznesit në vend që këtë vit janë në telashe me bankat private që kanë kredituar rinovimin e teknologjisë së tyre. Gjatë vitit të kaluar bankat e nivelit të dytë në vend panë si një mundësi me leverdi kreditimin e kompanive private për të blerë makineri dhe pajisje. Por fundi i vitit të kaluar dhe pjesa e parë e vitit 2009 ka rezultuar me bilance negative për biznesin shqiptar, ku për pasojë shumë kompani që janë kredituar nga bankat nuk po prodhojnë në nivelin e pritshëm, ose kanë ndërprerë aktivitetin e biznesit. Kjo gjë ka shkaktuar vonesa të shumta në shlyerjen e kësteve të kredive dhe të interesave të tyre, shuma që kapin miliona euro dhe që ka bërë që aktiviteti i disa bankave tregtare të vihet në vështirësi serioze si pasojë e mungesës së likuiditetit. Si pasojë e kësaj, nuk janë të pakta bankat që kanë kthyer sytë nga gjykatat, duke synuar të trembin klientët e tyre “jokorrektë”, por po ashtu edhe shumë kompani që rrezikojnë falimentimin kanë nisur të nxjerrin në shitje makineritë dhe pajisjet e blera me kredi.

Situata

Gjatë periudhës janar-mars kreditimi nga ana e bankave private për bizneset e mëdha për blerjen e makinerive dhe pajisjeve ishte 40 për qind më i ulët sesa në tremujorin e parë të vitit 2008. Kjo gjë erdhi pas frikës që patën bankat nga moslikuidimi në kohën e duhur të kësteve të kredive nga kompanitë, të cilat nisën të përballeshin me mungesë të punës dhe me një stopim të aktivitetit. Por situata duket se ka ndryshuar disi gjatë dy muajve të fundit. Huamarrja e kompanive për blerje teknologjie në Shqipëri u rrit gjatë muajve prill dhe maj, pas një periudhe gjashtëmujore atrofizimi nga kriza botërore. “Kredidhënia për makineri e pajisje për pesë muajt e parë të këtij viti ishte rreth 90 milionë euro, vetëm 1 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2008”,- bëhet e ditur nga statistikat e Shoqatës së Bankave. Kreditimi i biznesit për makineri e pajisje është një tregues i rëndësishëm për prirjet e ekonomisë, pasi përcakton se si mund të jetë ecuria e prodhimit në muajt në vazhdim. Për më tepër, bankat janë përpjekur gjatë kësaj periudhe të diversifikojnë portofolin e kredive të dhëna, duke u larguar sa më shumë nga sektori i ndërtimit. Shumica dërrmuese e kompanive të industrisë në Shqipëri kanë teknologji të vjetër dhe me rentabilitet të ulët.

Interesat

Interesi i kredive në euro për makineri e pajisje është ulur nga 9.28 për qind që ishte në maj të vitit 2008, në vetëm 6.18 për qind në maj të këtij viti. Në përpjekje për t‘u mbrojtur nga interesat në rritje të lekut, kompanitë kanë rritur kërkesën për kredi në euro. Interesat për këtë lloj kredie të dhënë në lekë u rritën në 13.6 për qind këtë vit nga 11.9 për qind që ishte një vit më parë. Bankat duket se kanë gjetur kredimarrës të besueshëm mes kompanive eksportuese të manifakturës, të ardhurat e të cilave janë në euro, gjë që minimizon rrezikun e kursit të këmbimit. Sektori i industrisë në Shqipëri është rritur gjatë viteve të fundit, por ecuria e tij ka qenë shumë e luhatshme. Shumica dërrmuese e fabrikave punojnë pothuajse tërësisht për eksport për shkak se tregu i brendshëm është shumë i vogël për të mbajtur në punë fabrika me përmasa të konsiderueshme. Kriza botërore duket se e ka goditur industrinë në të gjitha drejtimet, si për shkak të rënies së porosive nga Italia e Greqia, ashtu edhe për shkak të rënies së çmimeve të mallrave.

Kredia për makineri e pajisje për biznesin në 5 muaj
Janar Shkurt Mars Prill Maj Totali
Viti 2009 5,704 14,514 14,064 30,431 25,533 90,246
Viti 2008 13,606 21,402 21,811 19,223 15,034 91,076
Diferenca -58.08 -32.18 -35.52 58.31 69.84 -0.91

9 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›