Ulja e çmimeve rrit interesin e klientëve për blerjen e makinave të reja
Kriza globale ka ndikuar ndjeshëm edhe në tregun e makinave te reja. Por, nëse në të gjithë botën pati efekte negative, në Shqipëri janë rritur shitjet. Sipas drejtorit të shitjeve të filialit të kompanisë “Ford” në vendin tonë, Gentian Karaj, gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti janë rritur me 50 për qind shitjet e makinave si pasojë e uljes së çmimeve në tregun botëror. Ndërkohë, sipas agjentëve të shitjeve të filialeve të markave të makinave në vend vihet re një tendencë në rritje e makinave me leasing, ku sipas statistikave, 70 për qind e shitjeve bëhen me leasing. Pas viteve ‘90 në vendin tonë pati një "bum" të hyrjeve të makinave të përdorura, pasi çmimi i ulët favorizoi shqiptarët për të pasur një mjet në pronësi. Por kjo tendencë u ul vitet e fundit kur po shfaqet mania për të blerë makina të reja, kjo edhe nga vendosja e taksave të larta për makinat e përdorura. Ato variojnë nga 10 mijë euro më e lira deri tek 100 mijë euro më e shtrenjta. Sipas kompanive të mëdha, çmimet në këto kompani nuk kanë lëvizur. Por, makinat e reja më të shitura në tregun shqiptar mbeten makinat gjermane ndër të cilat edhe “Ford”-i, që kanë edhe një çmim më të arsyeshëm për t’u blerë. Këto marka janë më të kërkuarat, pasi janë mjaft të preferuara edhe nga femrat. Të tjerë faktorë që ndikon në përcaktimin e markës së makinës për klientët, janë edhe çmimi i lartë, pjesët e këmbimit dhe konsumi i karburantit, të cilët i detyrojnë njerëzit të shohin drejt makinave ekonomike me fuqi motorike më të ulët. Rritja e çmimit të "arit të zi" sipas ekspertëve të kësaj fushe e ka bërë shumë të kushtueshme mbajtjen e një makine me cilindratë të lartë. Ndërsa për të marrë vendimin për të blerë një makinë me fuqi motorike të vogël është edhe infrastruktura rrugore, e cila vitet e fundit ka njohur një përmirësim rrënjësor, duke i lejuar blerësit qe të mos preferojnë medoemos një makinë të "fortë", për të përballuar amortizimin e tyre. Rritjen e kërkesës për makina më ekonomike, krahas arsyeve të mësipërme distributorët ia atribuojnë edhe mbështetjes ekonomike qe ofrojnë bankat ndaj blerësve. Por tregu i makinave të përdorura ka njohur rënie për shkak të rritjes së tarifës së zhdoganimit të makinave, e cila ka sjellë një rritje të ndjeshme të çmimit të tyre në këtë treg.
9 Korrik 2009