INSTAT: Rënia e inflacionit ka sjellë edhe rënie të nivelit të konsumit
Rënia e çmimeve të artikujve ushqimorë ka ndikuar në uljen e kostos së jetesës në vend. Instituti i Statistikave ka konstatuar gjatë muajit qershor një rënie të inflacionit, tregues ky që ka arritur në 2.3 për qind nga 4 për qind që ka qenë gjatë të njëjtës periudhë të një viti më parë. Sipas INSTAT-it, IÇK për muajin qershor ka shënuar ulje prej 0.6 për qind, krahasuar edhe me muajin maj. Indeksi i grupit "ushqime dhe pije jo alkoolike" shënoi një ulje prej 1.7 për qind, me një ndikim prej –0.7 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 6.1 për qind vërehet në nëngrupin "zarzavate përfshirë patatet". Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të patëllxhanëve me 36.9 për qind, specave me 33.7 për qind, bishtajave me 30.9 për qind, domateve me 15.8 për qind, sallatës jeshile me 13.8 për qind, etj. Indeksi në nëngrupin "fruta" shënoi një ulje prej 4.2 për qind. Gjatë muajit qershor çmimet janë ulur pothuajse në të gjitha nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë uljet në nëngrupet, "peshk" 1.9 për qind, "vajra dhe yndyra" 1.1 për qind, "mish" 1.1 për qind, "qumësht, djathë e vezë" 0.6 për qind, "bukë e drithëra" 0.3 për qind, etj. Referuar të dhënave, indeksi i grupit "veshje dhe këpucë" shënoi një rritje prej 0.2 për qind. Çmimet e veshjeve u rriten me 0.1 për qind, dhe çmimet e këpucëve u rritën me 0.6 për qind. Indeksi i grupit "transport", sipas INSTAT, shënoi një rritje prej 1.0 për qind. Gjatë muajit qershor rënie kanë pësuar edhe çmimet në grupin veshje dhe këpucë, qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji, si dhe ato në grupin pije alkoolike dhe duhan. Çmimet janë rritur gjatë kësaj periudhe vetëm në grupin transport, si pasojë e shtrenjtimit të naftës me 4.2 për qind dhe benzinës me 7.6 për qind.
9 Korrik 2009