E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blerje të vogla, sukses i madh

Nuk është e nevojshme që gjithmonë të shpenzohen shuma të mëdha parash për të sjellë përforcime të suksesshme. Një listë prej dhjetë futbollistëve nga liga të ndryshme evropiane dëshmon se me më së tepërmi 3 milionë euro mund të sillen përforcime që arrijnë të tejkalojnë parashikimet dhe përmirësojnë dukshëm rezultatet e ekipit. Nga Express më 18 qershor 2011 në ora 11:26

Shuma të mëdha parash nuk janë e vetmja mënyrë që në ekip të sillen futbollistë të cilët shkëlqejnë me paraqitjet e tyre.

Këta janë 10 përforcimet e veçuara nga tportal.hr, çmimi i së cilëve nuk kalon mbi tre milionë euro, ndërsa dobia e tyre për skuadrat ka qenë e jashtëzakonshme.

Këta shembuj dëshmojnë se nuk ka nevojë që gjithmonë të shpenzohen shuma të mëdha parash për të sjellë përforcime të mëdha.

10. Josip Iliçiç, mesfushor ofensiv i Palermos

I transferuar gjatë afatit kalimtar veror nga NK Maribor
Vlera: 2.3 milionë euro.

Nismëtari i kolonisë së sllovenëve në jug të Italisë, Josip Iliçiç, nga futbollist anonim është bërë titullar në ekipin ambicioz sicilian, Palermo.

Iliçiç u dallua për ekzekutimin e ndërprerjeve, pavarësisht se a bëhej fjalë për goditje të lira ose rivënie nga këndi. E përfundoi sezonin me tetë gola dhe po aq asistime.

9. Antonio Cassano, sulmues i Milanit

I transferuar gjatë afatit kalimtar dimëror nga Sampdoria
Vlera: 1.7 milion euro.

Futbollisti më i talentuar në listë, Cassano nuk ka bërë karrierë të ndritur që pritej prej tij vetëm për shkak të karakterit të tij.

Pasi u grind me presidentin e Sampdorias, Riccardo Garrone, Milan vendosi të ndërhyjë për transferimin e tij në San Siro dhe rrezikimi u shpagua.

Pas lëndimit të Ibrahimovicit dhe formës jo të mirë të Patos, Cassano së bashku me Robinhon funksionuan në periudhën vendimtare të sezonit. Italiani realizoi katër gola dhe bëri tetë asistime.

8. Julio Baptista, mesfushor ofensiv i Malagës

I transferuar gjatë afatit kalimtar dimëror nga Roma
Vlera: 2.5 milionë euro.

Bisha, siç edhe thirret, futbollist për të cilin para gjashtë sezoneve Real Madridi i pagoi Sevillës 20 milionë euro.

Edhe pse kaloi disa vite të vështira, tani gjendet te Malaga ambicioze ku për sezonin e ardhshëm i është bashkuar edhe sulmuesi Van Nistelrooy.

Me nëntë golat e tij në 11 ndeshjet e fundit, Malagës ia siguroi mbijetesën tri xhiro para fundit.

7. Ivan Rakitiç, mesfushor ofensiv i Sevillës

I transferuar gjatë afatit kalimtar dimëror nga Schalke 04
Vlera: 2.5 milionë euro

Edhe pse kurrë nuk ka luajtur jashtë territorit gjermanofolës, Rakitiç me vetëm 23 vjet arriti të bëhet njëri prej futbollistëve kryesorë në mesfushën e Sevillës.

Menjëherë ka marrë detyrën e ekzekutimit të goditjeve të lira, ndërsa në disa takime ishin pikërisht golat e tij që vendosën rezultatin përfundimtar. Me transferimin e tij, rezultatet e Sevillës janë përmirësuar dukshëm në pjesën e dytë të kampionatit.

6. Marc van Bommel, mesfushor defansiv i Milanit

I transferuar gjatë afatit kalimtar dimëror nga Bayern Munichu
Vlera: futbollist i lirë

Holandezi është arsyeja kryesore pse në Milan nuk vajtohet largimi i Andrea Pirlos. Edhe pse nuk posedon teknikën e Pirlos dhe elegancën e tij, Van Bommel fiton topa me lojë agresive, por me mjaft mençuri.

Gjithmonë gjendet në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për të plotësuar zbrazëtirat në repartin defansiv të ekipit.

5. Peter Odemwingie, sulmues i West Bromwichit

I transferuar gjatë afatit kalimtar të verës nga Lokomotiv Moska
Vlera: 3 milionë euro

Futbollist i lindur për futbollin anglez, i mirë me këmbë dhe kokë, i rrezikshëm posaçërisht në kundërsulme. Kualitetet teknike të Odemwingieas nuk janë të vetmet, ai posedon edhe fuqi fizike, shpejtësi dhe eksplozivitet.

Bilanci i tij përfshin 15 gola të shënuar dhe kur kihet parasysh se luan në West Bromwich Albion, duhet pasur parasysh se sulmuesve nuk u ofrohen shumë raste për shënim.

4. Shinji Kagawa, mesfushor ofensiv i Borussia Dortmundit

I transferuar gjatë afatit kalimtar të verës nga Cerezo Osaka
Vlera: 350 mijë euro

Do ta kishte zënë pozitën e parë në renditje nëse nuk do të ishte lënduar gjatë dimrit dhe të kishte munguar në komplet pjesën e dytë të sezonit.

Menjëherë shpërtheu në ekipin Dortmundit dhe vetëm në pjesën e parë të sezonit shënoi tetë gola. Njësoj si edhe pjesa tjetër e kampionit të ri të Bundesligës, Kagawa është futbollist i lëvizshëm në të dyja anët e lojës, që përveç shënimit të golave, di edhe të vërë presion të lartë në repartet defensive të kundërshtarëve.

3. Artur Boruc, portieri i Fiorentinës

I transferuar gjatë afatit kalimtar të verës nga Celticu
Vlera: 2.5 milionë euro

Ka shumë klube evropiane që kanë nevojë për një portier si Borucu, të cilin kanë mundur ta transferojnë gjatë verës së shkuar për pak para. Shumëkush u çudit kur ai zgjodhi Fiorentinën, ku portier titullar ishte Sebastien Frey, por lëvizja doli të jetë vendim i mirë meqë lëndimet e Freyt i mundësuan atij të jetë vazhdimisht në portën e Fiorentinës dhe ishte njëra prej arsyeve kryesore që ekipi përmirësoi bilancin në pjesën e dytë të sezonit.

2. Raul, sulmues i Schalke 04

I transferuar gjatë afatit kalimtar të verës nga Real Madridi
Vlera: Futbollist i lirë

Nganjëherë thjesht duhet të rrezikohet. Për këtë ishin të sigurt në Gelsenkirchen, ku sollën futbollistin i cili gjatë gjithë karrierës së tij luajti vetëm për Real Madridin por që nuk di asnjë fjalë gjermanisht.

Por, Raul tregoi se çka do të thotë të jesh futbollist profesionist dhe adhurues i lojës. Pavarësisht 33 viteve të tij, ai udhëhoqi ekipin drejt gjysmëfinales në Ligën e Kampionëve dhe triumfit në Kupën e Gjermanisë.

1. Moussa Sow, sulmues i Lille

I transferuar gjatë afatit kalimtar të verës nga Rennes
Vlera: Futbollist i lirë

Futbollist i cili meriton një çmim për futbollistin më të përparuar në Evropë për sezonin e fundit. Kur gjatë verës së vitit të kaluar erdhi nga Rennes, nuk ishte as në plan për formacionin bazë.

Por, menjëherë pas xhiros së parë kur shënoi gol pas inkuadrimit nga pankina, trajneri Garcia vendosi t’i besojë atij dhe nuk gaboi. Sow shënoi 25 gola duke u bërë realizatori më i mirë në Ligue 1. ku Lille fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Francës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›