Dënohen përjetë

Liga elite profesionale e futbollit në Korenë e Jugut ka shqiptuar dënime të përjetshme për 10 futbollistët e akuzuar për kurdisje. Njëri prej tyre thuhet se ka pranuar 67 mijë funte për të humbur një ndeshje dhe i ndau paratë me bashkëlojtarët e tij.
Tetë prej futbollistëve të përfshirë janë anëtarë të ekipit Daejeon Citizen. Ky është dënimi më i rëndë i shqiptuar në historinë 28-vjeçare të K-League. Nëse shpallen fajtorë në gjykatë, ata rrezikojnë me shtatë vjet burgim.
Daejeon Citizen u mposht 0-3 nga Pohang Steelers më 6 prill. Zyrtarë dhe futbollistë të ekipeve të tjera po ashtu thuhet se janë të përfshirë. Një futbollist, Kim Jung-kyum nga Pohang Steelers është dënuar pas vënies së bastit në ndeshjen e skuadrës së tij, pasi kishte marrë një informatë nga një futbollist i ekipit kundërshtar se ndeshja është kurdisur.
Kim u dënua për pesë vite nga futbolli. Skandali është lidhur edhe me vdekjen e një futbollisti, muajin e kaluar, në një dhomë të hotelit. Agjencia e lajmeve nga Koreja e Jugut, Yonhap, ka raportuar se një porosi vetëvrasëse është gjetur në vendin e ngjarjes e që i referohej rrjetit që kurdisi ndeshjen.
K-League do të kërkojë nga Federata koreane e Futbollit t’u pamundësojë futbollistëve të dënuar të merren me çfarëdo detyre tjerët të lidhur me futbollin. “Ne kemi marrë vendimin, të përcaktuar se ky do të jetë skandali i parë dhe i fundit i kurdisjes së ndeshjeve në ligë”, tha Kwak Young-Cheol, kreu i Komitetit disiplinor të K-League.
“Futbollistët duhet të kenë parasysh se do të përjashtohen përgjithmonë nga sporti nëse zihen duke bërë ndonjë gjë të tillë”, u shpreh ai.
Kwak po ashtu ka thënë se futbollistët e dënuar do të rivlerësohen nëse lirohen nga faji në akuzat kriminale. Ekipi Daejeon Citizen do të humbë 30 për qind të aksioneve të saj vjetore nga Sports Toto, lotaria sportive kombëtare.
Skuadrat profesionale nga Koreja e Jugut rregullisht marrin porcione nga shitjet e lotarisë. Gwangju FC dhe Sangju Sangmu Phoenix, që kanë nga një futbollist të dënuar, do të humbin 10 për qind nga aksionet e lotarisë.