E Diel, 1 Nëntor 2026

Kokainë me postë nga Argjentina, dy në pranga

 

Policia ka pritur deri sa personat kanë tërhequr pakon me drogë dhe ka arrestuar në flagrancë Mukën dhe Smajlin

TIRANË- Operacioni i koduar “Asta la Vista” zbulon pakon me kokainë që dërgohej nga Argjentina. Dy net më parë, policia në bashkëpunim me prokurorinë, postën dhe policinë gjermane arrestuan dy persona të cilët ishin pritësit e një pakoje brenda së cilës gjendej 560 gramë kokainë. Eglant Muka, 39-vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Eduart Smajli, 41-vjeç, lindur dhe banues në Durrës i dënuar më parë për trafikim të lëndëve narkotike në Itali janë arrestuar pasi dyshohen se kanë konsumuar veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”. Burime zyrtare nga policia e shtetit thanë se lënda narkotike është nisur në rrugë postare nga Argjentina me destinacion Tiranën. Muka dhe Smajli janë pranë postës për të tërhequr pakon, brenda të cilës ishte fshehur lënda narkotike prej 560 gramë e ndarë në katër pako. Burimet policore thanë se policia kishte siguruar informacione për pakon me drogë që ishte nisur nga Argjentina duke zbuluar dhe pritësit. Forcat e policisë kanë pritur në postë mbërritjen e pakos duke kapur në flagrancë dhe dy personat të cilët ishin paraqitur për të tërhequr pakon. Në cilësinë e provës materiale dy të arrestuarve ju sekuestrua, sasia prej 560 gram lënde e dyshuar narkotike e llojit Kokainë, një mjet Mercedes Benz seria ML, me targa amerikane. Ndërkohë nga ana e grupit hetimor po vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë trafik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›