E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bleu mish te kasapi i lagjes, përfundon në spital me plasje

Antraksi trondit Gjirokastrën me dy raste brenda një dite. Dy të moshuara, nga zona të ndryshme, përfunduan në spital, por për fat sipas mje-këve janë jashtë rreziku, pasi mbërritën në kohë. 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

 Ndonëse të veçuara nga njëri-tjetri, dy rastet u regjistruan brenda 12 orësh. Pacientja e parë është 62-vjeçarja Fotini Stroka nga qyteti. Një viç i infektuar nga kjo sëmundje e rrezikshme është shitur në një dyqan mishi në lagjen "18 Shatori" në Gjirokastër. Kanë qenë vetë blerësit ata që konstatuan se viçi i blerë për konsum ishte i infektuar me sëmundjen e plasjes ose siç quhet në gjuhën e infeksionistëve, antraks. Gruaja kishte shkuar në dyqan mbrëmjen e së mërkurës dhe pasi ka blerë 6 kg mish të viçit e ka çuar në shtëpi për ta gatuar. Familjarët e saj janë shprehur për gazetën "Panorama" se në trupin e Fotinisë, e cila konsumoi e para pak mish pas zierje, u shfaqën shenja të kësaj sëmundjeje, si puçrra në lëkurë, zverdhje të trupit dhe dhimbje koke. Duke dyshuar për ushqimin, anëtarët e tjerë të familjes Stroka kanë marrë një copë mish nga ai që kishte mbetur pa u konsumuar dhe e kanë çuar në Laboratorin Rajonal të Bujqësisë dhe Ushqimit për të marrë rezultatet. Përfundimi pas analizimit të mishit ka qenë se, viçi ishte i infektuar nga sëmundja e plasjes. Menjëherë 62-vjeçarja është dërguar në spitalin rajonal të Gjirokastrës për t'iu nënshtruar analizave të detajuara, pasi shenjat ishin të dyshimta. Edhe katër pjesëtarët e tjerë të familjes Stroka u janë nënshtruar analizave, ndonëse nuk kishin konsumuar mish të infektuar me plasje. Sipas tregtarit të mishit të infektuar, viçi është blerë i gjallë në fshatin "Arshi Lengo" rreth 4 km në lindje të Gjirokastrës. As kasapi dhe as pronari i tij, nuk e kanë kuptuar se ai ishte i sëmurë e për rrjedhojë mishi është shitur për fat të mirë vetëm tek familja Stroka. Ndërkohë, inspektorët veterinarë në Bashkinë e Gjirokastrës, nuk kanë mundur ta kontrollojnë dot viçin për të mos lejuar konsumimin e tij pasi ai është çuar në dyqanin e shitjes në orët e pasdites. Sipas personelit veteriner, kasapi mund ta furnizojë dyqanin pasdite, por nuk duhet të shesë mish deri të nesërmen kur ai t'i nënshtrohet kontrollit dhe të jepet leja nëse duhet shitur tek konsumatorët apo jo. Gjithsesi Inspektorati Veterinar në Bashkinë e Gjirokastrës, ka bërë menjëherë dezinfektimin e mjedisit brenda dyqanit si dhe ka bllokuar çdo shitje brenda tij duke përshkallëzuar edhe masat të tjera mbrojtëse. Inspektorati në fjalë ka groposur mishin e mbetur në familjen blerëse si dhe atë të gjetur në dyqan. Po sipas tyre ndaj kasapit që shiti mishin e infektuar, edhe pse ai është një person tepër korrekt dhe i rregullt, do të merren masa ekstreme me gjobë dhe heqje të licencës. Ndërsa, rasti i dytë në Komunën e Pogonit ka ndodhur pas 12 orësh nga ai i qytetit të Gjirokastrës. Një grua 80-vjeçare nuk e ka konsumuar mishin e viçit, por e ka prekur atë dhe kjo ka mjaftuar që ajo të infektohet menjëherë. Familjarët e të moshuarës e kanë transportuar në spitalin e Gjirokastrës, ku ka marrë ndihmën e nevojshme dhe gjendja e saj paraqitet jashtë rrezikut për jetën. Sipas mjekut infeksionist Artan Mema, gjendja e dy grave të shtruara në repartin infektiv të Spitalit "Omer Nishani", paraqitet e qetë dhe jashtë rrezikut për jetën. Mirëpo shqetësuese ngelet sërish gjendja e paraqitur, pasi mendohet se mishi i infektuar me antraks, mund të jetë konsumuar nga persona të tjerë që nuk e dinë se janë të infektuar me antraks kutan.

Inspektorati: Tregoni kujdes me mishin
Personeli i Inspektoratit Veterinar në Bashkinë e Gjirokastrës, duke marrë shkas nga rastet e djeshme të sëmundjes pas 2 vitesh nga konstatimi i fundit u ka bërë thirrje blegtorëve dhe në veçanti kasapëve, që të respektojnë me rigorozitet rregullat e tregtimit të mishit. Sipas tyre, çdo neglizhencë mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin e konsumatorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›