Blinin armë e municione dhe i trafikonin drejt Greqisë, arrestohen 4 persona

Tiranë, 11 shkurt, NOA Blinin armë dhe
municione me qëllim trafikimin e tyre drejt Greqisë, por janë pikasur nga
forcat e policisë të cilat i kanë arrestuar më pas në kuadrin e operacionit të
koduar Tregtarët e telefonave.
Bëhet fjalë për 4 persona, të cilëve gjatë
arrestimit dhe kontrolleve në banesë, përveç armëve, iu janë sekuestruar edhe lëndë
përzjerëse narkotike.
Lajmi i konfirmuar zyrtarisht nga burimet
policore për agjencinë e Lajmeve NOA saktëson ndër të tjera edhe emrat e këtyre
të ndaluarve, të cilët janë konkretisht
Kanan Xhakollari, vjeç 23; Lulëzim Qamo, vjeç
28; Astrit Zylyftari, vjeç 23 dhe Asllan Belul Plaku, vjeç 18; që të gjithë
banues në Durrës.
Gjatë veprimeve hetimore atyre u janë
sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri automatike, nga të
cilat 3 tip Kallashnikov dhe 1 tip PMSH si dhe 2 armë zjarri pistoletë tip
TT.
Bëhet me dijeni ndër të tjera se këta persona janë
pjesë e një grupi kriminal dhe në veprimtarinë e tyre kriminale kanë
bashkëpunuar dhe me 29-vjeçarin Sotir Zako, lindur në Skrapar dhe banues në
Durrës, i arrestuar pak ditë më parë në Gjirokastër.
Gjatë kontrollit të banesës së këtij të fundit
u gjetën dhe sekuestruan 100 gram kokainë
dhe 30 kilogramë paracetamol dhe lidokainë, të
cilat shërbejnë si lëndë përzierëse të lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë.
Pas kryerjes së gjithë veprimeve të nevojshme
hetimore, materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve iu kaluan
Prokurorisë për Krime të Rënda për veprat penale të Trafikimit të armëve dhe
municioneve luftarake dhe Mbajtjes së lëndëve narkotike parashikuar nga
nenet 278/ a, 25 dhe 283 të Kodit Penal.
n.e/NOA