Bllacë ; Bllokohet kamioni me hekur radioaktiv
Një kamion që po kalonte transit nga Prishtina drejt Maqedonisë është bllokuar nga autoritetet doganore të Bllacës, pasi nga kontrolli paraprak që i është bërë ka rezultuar e ngarkesë radioaktive. Lajmi është konfirmuar pasditen e djeshme edhe nga Drejtoria Doganore e Maqedonisë, sipas së cilës, ndalimi është bërë në orët e para të mëngjesit kur në Bllacë është regjistruar një kamion i cili vinte nga Kosova i ngarkuar me material që ka përmbajtje radium me rrezatim 9000 herë më të madh sesa ai i lejuar. Sipas këtyre të dhënave, ngarkesa radioaktive deri tani ka nivelin më të lartë të regjistruar gjatë dy viteve të fundit. Pas evidentimit të kësaj ngarkese të rrezikshme, policia ka nisur menjëherë hetimet për gjetjen e destinacionit. Nga të dhënat e marra nga këta efektivë të policisë, mësohet se pika e mbërritjes së kamionit me radioaktivitet ka qenë qyteti i Elbasanit. Kamioni me radioaktivitet ka qenë i ngarkuar me pjesë të vjetra hekuri të cilat janë ngarkuar në qytetin e Prishtinës. Pas ndalimit të kësaj sasie të rrezikshme, kamioni është kthyer përsëri në vendin e origjinës, në Prishtinë. Ndërkohë, në fillim të qershorit të këtij viti autoritetet doganore të Maqedonisë parandaluan dy tentime për hyrje në vend nga Kosova të hekurit radioaktiv dhe me destinacion përfundimtar Shqipërinë. Njëra prej tyre ka qenë rasti kur një kamion me ngarkesë radioaktive ka rrezatuar 300 herë më shumë se vlera normale maksimale. Edhe këtë herë automjeti me hekur të vjetër vinte nga Kosova dhe me destinacion një firmë importuese të Elbasanit. Por mjetet për matjen e radiacionit gjatë kontrollit të kamionit me targa kosovare regjistruan nivel të zmadhuar të rrezatimit radioaktiv.