E Diel, 1 Nëntor 2026

Sam Zherka, botuesi shqiptar që sfidon politikanët në SHBA



Botuesi shqiptar ka një seri procesesh gjyqësore me kryetarët e konteve të ndryshme

“Krimi i vetëm që kam kryer është fjala e lirë, dhe kjo konsiderohet një krim në kontenë e Westchester”. Me këto fjalë, Sam Zherka, 40 vjeç, biri i një emigranti shqiptar i arratisur në SHBA që në kohën e diktaturës, tashmë një publicist, i është përgjigjur një serie procesesh kundër tij për shantazh ndaj funksionarëve të lartë të konteve amerikane. Gjithçka ka filluar pas hapjes së gazetës së tij “The Westchester Guardian”, ku investigimi për disa personazhe të mëdhenj, qoftë dhe të botës politike në vend, Filip. A. Amicone, Janet DiFiore apo Dennis E. Glazer, kanë bërë që shqiptari të pushtojë faqet e para të agjencive të lajmeve. Kështu, në botimin e një ditë më parë të prestigjiozes amerikane “New York Times”, autori Joseph Berger (joeberg@nytimes.com), thotë se gjatë verës së fundit, një vit pasi ai filloi botimin, gazeta nxori disa artikuj kritikë ndaj Filip. A. Amicone, që kërkonte rizgjedhjen si kryetar i bashkisë së Yonkers-it dhe departamentit të tij policor.

Në një faqe të parë të gazetës ishte fotografia e M. Amicone, si një pjesë e grafikës e etiketuar si “I heshtur dhe shumë i heshtur”. Në ditët në vazhdim, pikërisht në botimin e 35-të, e njohura si gazeta blu, u zhduk në trotuaret e Yonkers-it pasi ishte vlerësuar si “rrezik i sigurisë publike” nga komisari i punëve publike, Xhon A. Lszewski.

Ndërkohë, kur transportuesit e Zherkës provuan të shpërndanin gazeta në mëngjes, ata u keqtrajtuan me pretendimin se po shpërndanin materiale të publikuara pa leje. Më pas, botuesi Zherka do të kishte punë me drejtësinë, ku më 3 mars, Charles de Justice L. Breiant, gjykatës i shtetit në Plaines Blanches, do të vendoste në favor të tij duke thënë se “faqet informuese janë hequr në mënyrë selektive, ndërsa faqe të tjera të gazetës para së të binte në dorë të lexuesit janë zëvendësuar”.

Sipas “NYT”, gjykatësi bëri që Yonkers t’i paguante shqiptarit Zherka gati 50.000 mijë dollarë, si dhe shpenzimet e gjyqit që përfshinte edhe mbrojtjen e tij deri në qindarkën më të fundit që Zherka kishte shpenzuar.

Në gjykimin e tij, Breiant citoi paragrafin 1943 të Gjykatës së Kasacionit, që i jepte të drejtë njerëzve të shpërndanin shtypin e shkruar deri në portat e qytetarëve me të drejtën e informimit të këtyre të fundit, duke përmendur si rast edhe dëshmitarët e Jehovait që shkojnë shtëpi më shtëpi për të shpërndarë broshurat e tyre.

“Autorët e amendamendit të parë e kanë ditur se ngjarje të veçanta mund të shqetësojnë ndokënd, por ata zgjodhën inkurajimin e lirive që ata besonin në gjërat thelbësore që i japin lirisë triumf”, - do të shprehej gjykatësi në vendimin e tij. Ndërkaq, “NYT” thotë se oficerët e Yonkers nuk e lanë me kaq. David Simpson, drejtori i komunikimit në bashkinë e qytetit, insiston se Sam Zherka ka vjedhur me pa të drejtë materialet e botuara. Sipas tij, “meraku i vetëm i kryebashkiakut tonë qëndron në faktin se si një propagandues i rëndomtë në një gazetë, del urdhërues ndaj një funksionari të lartë, duke thënë madje se çfarë të bëjë”. Megjithatë, për gjykatësin edhe propaganda e rangut të dytë ka të drejtë të publikohet dhe kjo nuk është një çështje që i takon ndonjë bashkiaku të thotë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të botohet apo të konsiderohet si lajm.

Në muajin prill, Zherka takoi përfaqësuesin e Ministrisë Publike të Kontesë, Janet DiFiore, pasi u mundua ta kërcënonte me një telefonatë një vit përpara, sepse ajo ishte e pakënaqur me një nga artikujt e tij.

Ky artikull akuzonte bashkëshortin e saj, Dennis E. Glazer, një avokat i ndërmarrjes prestigjioze Davis Polk & Wardwell, që mundohej të bindte kryetarin e një partie të vogël, e quajtur “Parti d'Independance”, për ta futur zonjushën DiFiore në zgjedhjet elektorale të 2005-s.

Artikulli përmban fjalë për fjalë atë çka u tha në telefon me zonjushën DiFiore, në të cilën ajo kërkon përmbajtje të gjuhës së tepruar. “Shiko, ajo çka ke bërë është personale”, - tha ajo, sipas artikullit “Ti nuk shkon pas familjes”. Po kështu, artikulli i botuesit shqiptar Zherka, nxjerr në pah dhe anën kërcënuese, ku DiFiore ka pyetur: “Si do ta pëlqenit nëse dikush do të vinte pas familjes tuaj?”. Sakaq, në një intervistë, DiFiore tha se ajo nuk i diskutonte akuzat e shqiptarit, “sepse ai është një proces në vazhdim”.

Ndërkohë që Sam Zherka thotë se ndihet shumë i frikësuar nga kjo lloj gjuhe që ka përdorur prokurori i kontesë, dhe duke pushuar nga puna editorin e tij dhe nuk ka publikuar asnjë fjalë për 10 muaj për zonjushën DiFiore. Sipas “NYT”, ai tha se eksperienca me politikatën e Westchester-it i kujtonte diktaturën komuniste në Shqipëri, nga e cila i ati ishte arratisur.

Para dhjetë ditësh, Zherka hapi fjalimin me një gjest domethënës në tribunë. Në një konferencë shtypi, ai ofroi 100.000 mijë dollarë për çdo informacion rreth zonjushës DiFiore, që mund të lidhte atë me çdo lloj krimi.

Në këtë konferencë, ai e akuzoi DiFioren që e kishte parë në shoqërinë e një oficeri të vjetër të policisë, i cili sipas Zherkës, ishte nipi i pronarit të bande të vdekur.

Ai nuk ofroi fotografi apo prova të tjera të këtij lloji, ndërkohë që nga ana tjetër DiFiore mbrohet duke thënë se oficeri që ajo është parë ka qenë një mik i familjes prej shumë kohësh. Në këtë pikë, disa mund të thonë se edhe nëse ai ka ofruar provat, akuza e Zherkës do të ishte një shembull fajësimi në bashkëpunim.

Por botuesi shqiptar, Sam Zherka, nuk e sheh nga ky këndvështrim. “Krimi i vetëm që kam kryer është fjala e lirë, dhe kjo konsiderohet një krim në kontenë e Westchester-it”, - shprehet ai.

Publicisti shqiptar në Amerikë, Sam Zherka

Ai frekuenton një klub striptizmi në Manhatan, në Klubin V.I.P, në të cilin vajzat kërcejnë lap dance për 20 dollarë. Gazeta e tij, që e publikon falas, quhet “The Westchester Guardian”, ka për zakon që të “qëllojë” dhe më pas të bëjë pyetje. Në këtë gazetë faqet e para të së cilës janë gjithmonë me kryetituj që akuzojnë primarët e qytetit për korrupsion, policët i akuzon për sjellje brutale edhe kur nuk ka nevojë për ta. Megjithatë, Sam Zherka, një djalë që është rritur në Bronx, biri i një emigranti shqiptar, tashmë është një publicist. Në moshën 40-vjeçare, ai ka aq para sa të nxjerrë në treg një gazetë të tijën. Këto para ai i ka përfituar nga shitjet dhe blerjet e pronave të patundshme. Ai ka një mesazh që do të ndajë me çdo njeri që do ta dëgjojë, ashtu si një turmë e nervozuar me politikanët e tanishëm.

Shifra

50 mijë dollarë pagoi kryetari i Bashkisë së Yonkers-it për shpenzimet që shqiptari bëri për gjyqin

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›