E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllazheviç: Dua të jem trajneri i Kosovës

Bledar Kuka
Ish-trajneri i Prishtinës në vitet 80-të, i njohuri Mirosllav Bllazhevic, e hodhi vetë kandidaturën e tij për të qenë trajneri i përfaqësueses së re të Kosovës në futboll. I pyetur nga "Jutarnji Listi", "Ciro" pohoi menjëherë: "Nëse do të më zgjedhin si trajner të Kosovës, do të luftojmë për pozicionet më të larta". "Me Kosovën jam i lidhur në mënyrë sentimentale, - vazhdoi Bllazhevici, - megjithatë kjo nuk do të thotë se jam kundër serbëve. Në Kroaci kam shumë miq serbë, por Serbia kërkon sërish që të sundojë, ndaj disa serbë më akuzojnë ...". "Jutarnji" "sponsorizon" kandidaturën e kroatit duke shkruar se "trajneri i parë i Kosovës, me të drejtë duhet të jetë Ciro Bllazhevici". Trajneri vazhdon: "Në Kosovë ende më kujtojnë sepse kreva një punë shumë të mirë që as nuk e besonin, ndërsa në Kroaci gjithnjë e më pak ndjejnë'. Kosova e ka një përfaqësuese me trajner Edmond Rugovën, ndërsa më parë ishte Bylbyl Sokoli. Sipas lajmeve më të fundit, përfaqësuesja e Kosovës do të njihet nga FIFA dhe UEFA, ndërsa për trajner do të thërrasë ish-yllin e futbollit, Kujtim Shalën. Bllazhevic është më i vogël në moshë se Oto Baric, madje plot 3 vjet. Herr Oto është 76 vjec, Mirosllavi, 72 (lindur më 10 shkurt 1935). Karriera e "trajnerit të të gjithë trajnerëve" dhe "mësuesit të Bilicit" është e shkëlqyer. Ai ishte trajneri I Kroacisë më të mirë të të gjitha kohëve, që më 1998 arriti në vendin e 3-të në botë dhe më 1996 doli në cerekfinale të Kampionatit Europian (eleminuar në mënyrë të dyshimtë nga Gjermania kampione). Më 1986 ai u bë "miku i shqiptarëve" pasi u ul në stolin e Prishtinës. Shqiptarët dolën në kategorinë e parë dhe Bllazhevici u bë shumë popullor në Kosovë. "Në Prishtinë ishte e mrekullueshme, - tregon trajneri, - kurrë nuk do ta harroj episodin e vecantë dhe është gjithnjë interesante të jesh trajner i kombëtares, por nuk kam kontakte". "Sidoqoftë, edhe po të më ftonin (nga Kosova), - rrëfen Bllazhevici, - gjë që dua shumë të ndodhë, dyshoj nëse presidenti im i tanishëm Medic (i NK Zagrebit) do të më linte të lirë ... ndonëse kemi 6 muaj pa marrë asnjë lek". Bllazhevici ka qenë trajner i Zvicrës, Kroacisë dhe Iranit, përfundon "Jutarnji Listi", nuk është e pamundur që t'i shërbejë edhe Kosovës. Boshnjakët nuk e deshën, maqedonasit e kërkuan dhe ai refuzoi. Kosova? Pse jo!

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›