Cana: “Duam të fitojmë kundër Spartakut”

"Kemi shansin që arritëm një rezultat shumë të mirë në ndeshjen e parë. U krye një punë e shkëlqyer. Nuk është se na shkaktuan probleme të mëdha, por ishin të fortë fizikisht. 3-0 është epërsi e mirë në futboll, por duhet bërë kujdes. Ata do jenë më mirë, por ne duam që ta fitojmë edhe këtë ndeshje. Ne duhet të fitojmë sa më shumë takime që të jetë e mundur", - tha Lorik Cana për faqen franceze football365.fr përpara ndeshjes së Kupës UEFA kundër Spartakut të Moskës. Takimi do të luhet në fushë sintetike dhe në temperatura të ftohta. "Ne do të provojmë temperatura nën 20 gradë celsius apo edhe më shumë, por kjo mund të përballohet. Bari sintetik është problem më i madh sepse ne nuk jemi mësuar me të".