Bllofi i policisë, floriri i sekuestruar është 109 kg
Tiranë- Një operacion "i fryrë", si në sasinë e floririt të sekuestruar, po aq edhe në dokumentimin e veprës penale. Kështu e ka konsideruar prokuroria operacionin policor të dy ditëve më parë, pasi ka peshuar për gjithë natën floririn dhe ka konstatuar se pesha është 109 kilogramë dhe jo 200.
" Floriri i gjetur në shtëpinë e vëllezërve Astrit dhe Genci Lamçe është peshuar megjithë ambalazhet, kutitë apo sirtarët ku mbahej nga policia, duke e shtuar me 91 kg peshën e mallit të sekuestruar",-bëjnë me dije për "Shekullin" burime nga grupi hetimor.
Me kërkesë të të arrestuarve dhe prokurorit të çështjes, Ardian Braho, është kryer edhe llogaritja e hyrje-daljeve të floririt në Shqipëri, duke u bazuar në faturat që organi i akuzës dhe familjarët disponojnë. Edhe gjatë këtij verifikimi, nuk ka munguar "bllofi" i policisë, pasi ka rezultuar se vetëm 30 % e floririt nuk disponon faturë.
"Floriri i sekuestruar tre ditë më parë ka një peshë prej 109 kg. Nga verifikimet e faturave që janë sekuestruar nga prokuroria në banesën e vëllezërve Lamçe dhe atyre faturave të siguruara nga familjarët për prokurorinë ka rezultuar se vetëm rreth 33 kg e floririt që është sekuestruar, nuk është zhdoganuar, duke u futur kontrabandë në Shqipëri",-thuhet nga prokuroria.
Rezerva ka pasur edhe në lidhje me lingotat e floririt, që sipas policisë mendohet se janë të vjedhura nga thesari i shtetit në vitin 1997. Pas verifikimeve të kryera, organi i akuzës shprehet se në thesarin e shtetit nuk ka pasur lingota, por vetëm monedha floriri të vulosura.