Gruaja: Biseda e fundit me Trebickën
Brunilda Krasniqi: Edhe nëse mund të kishte ndonjë shqetësim, nuk e përfshinte emocionalisht familjen
KORÇË- Bashkëshortja e Kosta Trebickës ka pohuar për grupin hetimor se një ditë para se të gjendej i vdekur, i shoqi i kishte thënë se do të shkonte në Leskovik dhe jo në Voskopojë. Në këtë dëshmi të dytë të saj për grupin e hetimit, Brunilda Krasniqi ka rrëfyer orët e fundit me të shoqin, para se ai të humbte jetën në rrethana misterioze. “Kosta më tha se do të shkonte për gjah në Leskovik dhe jo në Voskopojë”,-ka pohuar para grupit hetimor e veja e Trebickës. Dëshmia e saj është marrë dy ditë më parë në shtëpinë e saj në Tiranë, nga një grup i Prokurorisë së Korçës dhe më pas është administruar në dosjen voluminoze për vdekjen e dëshmitarit kyç të çështjes së Gërdecit.
Bashkëshortja e Kosta Trebickës, Bunilda, nuk ka shprehur ndonjë dyshim për ngjarjen, por i ka kërkuar grupit hetimor zbardhjen e rrethanave të vdekjes së të shoqit dhe më shumë transparencë për familjen, mbi atë se çfarë ndodh me hetimet dhe për shkakun e kësaj vdekjeje. Sipas saj, i shoqi nuk ka shfaqur ndonjë shqetësim, ndërsa më 10 shtator, një ditë para se të nisej drejt Leskovikut, kishte takuar një mikun e vet në Elbasan. “Më tha se kishte takuar një mikun e tij në Elbasan, por nuk di më shumë se kaq rreth këtij takimi. Më pas, dija se do të udhëtonte drejt Leskovikut”,-mësohet të ketë thënë për grupin e hetimit, gruaja e Trebickës. Ndalesa në Elbasan pritet të hetohet, ndërkohë që ende nuk kanë mbërritur tabulatet telefonike, për të zbardhur dhe disa të panjohura të tjera për bisedat më të fundit telefonike të Trebickës. Dëshmia e gjatë e Brunilda Krasniqit ka qënë e detajuar. Ajo është ndalur dhe në momentin më kritik të jetës së saj, kur ka komunikuar jo me bashkëshortin, siç bënte vazhdimisht, por me një punonjës të policisë së Korçës, i cili i kishte komunikuar se Trebicka ndodhej në spital në gjendje kritike për jetën, pas një aksidenti automobilistik.
“Një ditë përpara vdekjes, më tha se do të largohej drejt Leskovikut. Përgatiti valixhen me ndërresa, mori edhe një libër për ta lexuar, të cilin porsa e kishte blerë. Drekuam si dhe herë të tjera në shtëpi, ku ishte i pranishëm dhe djali ynë 11 –vjeçar”,-ka shtuar më tej në dëshminë e saj gruaja e Trebickës.Pas dreke, Kosta i kishte thënë se do të ikte për gjah në Leskovik. “Nuk këmbyem shumë fjalë, ndërsa ai u largua duke na përshëndetur dhe duke më thënë se do të qëndronte ndoshta dy ditë larg meje dhe djalit”. Kështu e shpjegon me pak fjalë largimin e Trebickës drejt juglindjes,gruaja e tij, për të mos u kthyer më kurrë i gjallë prej andej, teksa ka marrë me vete dhe qenin e tij të gjahut. Brunilda ka sqaruar se e ka marrë vesh që Kosta ndodhej në Voskopojë mbrëmjen e 11 shtatorit, kur ai i ka pohuar në telefon se kishte ndërruar destinacion. “Më ka pyetur për djalin dhe kemi bërë bisedat e zakonshme, por unë nuk vura re ndonjë shqetësim që ai mund të kishte”,- mësohet të jetë shprehur ndër të tjera Brunilda Krasniqi. Sipas saj, i shoqi ishte një natyrë e kujdesshme në këtë drejtim ndaj edhe nëse mund të kishte patur ndonjë problem, nuk mund të përfshinte emocionalisht asnjëherë familjen. “Për punët e tij unë nuk dija asgjë”,-ka përfunduar dëshminë e saj, e veja e Kosta Trebickës.
Bashkëshortja e Trebickës ka pohuar se më 10 shtator, i shoqi kishte qëndruar gjatë në Elbasan
Takimi misterioz i Trebickës në Elbasan
KORÇË- Elementi më i ri në dëshminë e bashkëshortes së Kosta Trebickës që ka ngjallur interes për hetimin është takimi në Elbasan, dy ditë para vdekjes. Gruaja e Kosta Trebickësnë dëshminë e saj të detajuar, dhënë dy ditë më parë për Prokurorinë e Korçës, ka treguar se më 10 shtator, Kosta kishte qëndruar për disa orë me radhë në qytetin eElbasanit për të takuar një mikun e vet, por pa i sqaruar më shumë se kaq. Nuk dihet se kush ishte njeriu me të cilinTrebicka ka qëndruar në Elbasan, ndërsa vetëm një ditë më pas, në mënyrë të beftë, ai ka ndërmarrë një tjetër udhëtim, këtë herë në drejtim të juglindjes shqiptare. Megjithëse të shoqes i ka pohuar se po shkonte për gjah, mikut të tij në Maliq, Genci Sulejmanit, Kosta Trebicka i ka thënë se nuk ishte gjahu, qëllimi i udhëtimit të tij drejt Leskovikut. Në një intervistë për “Shekullin”, dhënë disa ditë më parë, pronari i hotelit në Maliq, Sulejmani, ka pohuar seTrebicka i kishte thënë se po shkonte drejt Leskovikut, për një takim biznesni. Nga ana tjetër, viktima pritej në Leskovik nga Artur Shehu dhe Eduart Culami, të cilët kishin planifikuar të fillonin një biznes në një gurore në këtë qytezë. Të gjitha lëvizjet e Trebickës, në ditët e fundit të jetës lënë shumë për të dyshuar, po aq sa ndryshimi i destinacionit drejt Leskovikut. Megjithatë, grupi hetimor i Prokurorisë së Korçës pritet të verifikojë edhe takimin e Trebickës në Elbasan, më 10 shtator.
Brunilda: S’kam parë televizor, e lexuar gazeta
Brunilda Krasniqi i ka pohuar grupit hetimor se fill pas tragjedisë nuk ka mundur të shohë televizor, madje nuk ka lexuar asnjë gazetë. Të vetmet sinjale që ka për hetimet i vijnë nga jashtë shtëpisë, prej të afërmve të saj. Megjithatë, ajo i ka shprehur një tjetër shqetësim grupit hetimor, lidhur me shpejtësinë me të cilën udhëtonte i shoqi në momentin e vdekjes. “Më kanë sinjalizuar se makina ka qenë duke ecur me 25 km/orë”,-i ka pyetur ajo hetuesit që i kishin shkuar në shtëpi, por këta të fundit e kanë mohuar këtë fakt. Të dërguarit e prokurorisë së Korçës i kanë deklaruar se për këtë çështje ende është në pritje të ekspertizës amerikane.