Minoriteti grek në dilemat e zgjedhjes
Përfaqësimi nëpërmjet një partie me profil etnik, një përfaqësim nëpërmjet një partie të tipit të PBDNJ-së, Dule, apo një përfaqësim i drejtpërdrejtë politik nëpërmjet partive të mëdha? Ky është debati që publikisht ka nisur qysh në shtator dhe që herë ndan dhe herë bashkon faktorët politikë të minoritetit etnik grek në Shqipëri. Debati u rindez me mbajtjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm të PBDNJ-së të drejtuar prej gati një dekade nga Vangjel Dule. Nga ana tjetër kryetari i Komunës se Finiqit në Sarandë, ka lajmëruar krijimin e një partie të re me profil etnik rindezi debatin në minoritet.
Xha: Minoritarët nuk kanë nevojë për parti satelit
Debatet janë rindezur në kontekstin e Kongresit të Jashtëzakonshëm të PBDNJ-së, ku nuk janë ftuar për të marrë pjesë, apo vetëlarguar disa nga ish-liderët e kësaj partie, të cilët në fakt kanë qenë edhe iniciatorët e parë të mbajtjes së këtij kongresi disa kohë më parë. Duket e nxituar iniciativa e paraqitur nëpërmjet ish-deputetit Ziso Lluci për themelimin e një partie të re me profil a bazë etnike, por mesa duket ky nxitim shpreh në radhë të parë humbjen e shpresës së tij për një unifikim të të gjitha grupeve nën ombrellën e OMONIA-s. Të marrësh iniciativën e krijimit të një partie në baza etnike, padyshim që është një përgjegjësi, pasi nuk ka asnjë garanci për të siguruar sukses, nuk ka asnjë qëndrim të Athinës zyrtare për këtë iniciativë. Personalisht do ta konsideroja këtë si një iniciativë të dështuar, ose thënë më qartë një parti satelit të PDSH-së, apo më tej akoma, një parti në kundërpeshë të PBDNJ-së që tashmë është shfaqur si një satelit i PSSH-së.
Nasto: Dule, në Tiranë parti europiane, në minoritet parti radikale
Nuk është e qartë se kush përveç zotit Ziso Lluci, ish-deputetit dhe kryetarit aktual të Komunës së Finiqit, është në grupin iniciator të themelimit të këtij formacioni të ri politik, por, gjithsesi, ky politikan i thjeshtë gëzon respektin e banorëve të mbarë minoritetit në Sarandë dhe Gjirokastër. Dule dhe partia e tij PBDNJ, u ka qëndruar larg halleve të minoritarëve grekë, i janë përmbajtur politikës së dyfytyrësisë në Tiranë, parti europiane, në minoritet parti me profil radikal etnik.
Dalani: Partia e re, sfidë boshe kundër Dules
Lajmi më qesharak dhe sfida më boshe ndaj kongresit që mbajti më 19 dhjetor PBDNJ-ja, ishte ai që i kushtohej hedhjes së hapave të fundit të grupit nismëtar për krijimin e një partie tjetër. Nga njëra anë, lëvizja e këtij grupi në fushë të politikës, është shenjë e lirisë dhe tregues i funksionimit të demokracisë, që u krijon shanse të gjithëve. Por, duke e parë lajmin në përmbajtjen e vet, kjo të kujton enën bosh. Shprehem kështu, pasi pjesëtarët që paraqiten si komision nismëtar dhe që u kujdesën për ta prodhuar "lajmin", duke e sinkronizuar konsumin e tij me ditën e mbajtjes së Kongresit të PBDNJ-së, nuk kanë hallin e minoritetit, por ëndrrën e karriges. Si përfaqësuesi i Llambros Mihos, i PASOK-ut dhe Stavro Papastavro i Demokracisë së Re, u takuan në të njëjtin mesazh që dhanë e që ishte: Si partia në pushtet edhe opozita në Greqi njohin si përfaqësuese të ligjshme të minoritetit etnik greke organizatën "Omonia" dhe PBDNJ.