E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Piramida", arrestohen 26 falsifikues

Një superaksion i policisë në 10 qytete ka vënë në pranga 26 persona, nën akuzon e prodhimit të kartëmonedhave të falsifikuara. Policia e Prokuroria e Tiranës, në harkun kohor të gjashtë muajve, kanë filluar hetimet, duke vënë në përgjim një numër të madh personash. Burime zyrtare nga policia thanë se hetimet kanë filluar, pasi janë depozituar në një kohë të shkurtër rreth 100 kallëzime. "Falë një pune intensive, për një periudhë kohore prej 6-muajsh, u bë e mundur goditja e këtij grupi të strukturuar kriminal, i cili vepronte në qytetet: Tiranë, Durrës, Fier, Berat, Sarandë, Elbasan, Pogradec, Korçë, Shkodër dhe Kukës. Në saj të përdorimit të metodave speciale të hetimit, është bërë e mundur dokumentimi i veprimtarisë dhe lidhjeve të shtetasve të implikuar në këtë veprimtari, si edhe gjetja e sekuestrimi i provave konkrete", thanë burimet nga Policia e Tiranës. Sipas tyre, këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për më shumë se një vit kanë prodhuar kartëmonedha të falsifikuara të prerjeve 500, 1000, 2000, 5000 lekë të reja. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se këto kartëmonedha prodhoheshin në Tiranë në afërsi të rrugës "5 Maji", ku nga kontrolli i kryer janë gjetur pajisjet e nevojshme për këtë prodhim të jashtëligjshëm.
Rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer shpërndarjen e kartëmonedhave të falsifikuara, kryesisht në Tiranë, në qendrat spitalore dhe në subjekte e biznese private.
"Gjatë punës 6-mujore, për finalizimin me sukses të këtij operacioni, nga strukturat e seksionit të krimit ekonomik financiar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe njësisë së taks-forcës, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, janë kryer veprime hetimore në të gjithë territorin, ku këta shtetas kanë realizuar shpërndarjen e kartëmonedhave", thanë burimet nga policia. Sipas tyre, janë sekuestruar shuma e parave prej 1.4 milionë lekësh, kartëmonedha të falsifikuara të prerjeve 1000, 2000, 5000 lekë të reja, kompjuterë dhe lap top, të cilët shërbenin për përpunimin e kartëmonedhave të skanuara, printer dhe skaner me rezolucion të lartë, që shërbenin për printimin e prodhimin e kartëmonedhave të falsifikuara. Gjithashtu janë sekuestruar makineri për prerjen e kartëmonedhave të falsifikuara, USB, që përmbante materialet e krijuara për realizimin e kësaj veprimtarie, fishekë të kalibrave të ndryshëm, një armë zjarri e llojit pushkë, maska të ngjashme me ato të forcave speciale, një sasi e konsiderueshme karta telefoni prej 400 numrash dhe rreth 100 aparate celularë. "Për veprimtarinë e kryer nga këta shtetas janë marrë mbi 100 kallëzime nga qytetarë të ndryshëm, ndërkohë që ftojmë qytetarët e dëmtuar nga këta shtetas të paraqiten për të kallëzuar pranë seksionit kundër krimit ekonomik financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë", thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›