Bllokada nga Bashkimi Sovjetik, si reagoi Tirana zyrtare
Shpërndahet plani i masave pas prishjes me Rusinë.
Të mbrojmë marksizëm-leninizmin nga sulmet e tërbuara të revizionistëve në ndërmarrjet shtetërore të prodhimit, në kooperativat bujqësore, në institucione etj. Organizatat bazë të partisë qëndrojnë, në kuptimin e plotë të fjalës, në pararojë të masave punonjëse. Duke forcuar punën e tyre organizative dhe edukative, punën me njerëzit, duke përmirësuar punën dhe duke rritur ndikimin e tyre në drejtimin më të mirë të problemeve të prodhimit, si dhe të problemeve të tjera, organizatat bazë udhëheqin me sukses të gjithë punën për realizimin e detyrave historike që po zgjidh tani partia jonë. Pjesëmarrja gjithnjë më e gjallë e komunistëve në kryerjen e detyrave, shembulli i tyre po luan një rol përherë e më të madh në mobilizimin e masave punonjëse, në rritjen e punës së tyre krijuese, në rritjen e vrullit të tyre revolucionar. Si rrjedhim, besimi i patundur, optimizmi i drejtë dhe vendosmëria për kryerjen e çdo detyre, për kalimin e çdo vështirësie, përbëjnë tanimë karakteristikën kryesore të të gjithë popullit tonë. Në këtë punë të madhe që bëjnë organizatat e partisë, zhvillimi i zgjedhjeve të partisë në një nivel të lartë, në bazë të kërkesave të demokracisë së brendshme të partisë, ka shënuar e po shënon edhe këtë herë një hap përpara në forcimin e punës së organizatave të partisë dhe të çdo komunisti. Ato janë një shkollë e vërtetë, një kudhër e shëndoshë për kalitjen dhe edukimin komunist të anëtarëve dhe kandidatëve për anëtarë partie. Rritja e rolit pararojë të anëtarëve të partisë, në radhë të parë ndërmjet shembullit personal në zbatimin e detyrave, nëpërmjet plotësimit me përpikëri të kërkesave të larta të statusit të partisë sonë, është çështje esenciale e veprimtarisë së organizatave të partisë. Vëmendja e organizatave bazë, si themel i partisë ku bën pjesë çdo komunist dhe kontrollit të së cilës i nënshtrohet veprimtaria e cilitdo prej tyre, përfshin gjithnjë më thellë të gjitha anët e veprimtarisë dhe të jetës së komunistëve dhe të masave punonjëse. Kjo luan një rol shumë pozitiv në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve të ngushta të partisë me klasën punëtore dhe masat e tjera punonjëse. Prandaj, pikërisht forcimi i mëtejshëm i punës organizative e politike të partisë, zhvillimi në një nivel të lartë i zgjedhjeve në parti, si një moment i rëndësishëm i një pune të tillë, ka vlejtur dhe vlen për të tërhequr akoma më gjallërisht në realizimin e detyrave madhështore të gjithë punonjësit e vendit tonë. Klasa jonë punëtore, fshatarësia kooperativiste dhe gjithë punonjësit e tjerë, duke qenë të lidhur ngushtë me veprimtarinë e organizatave bazë të partisë në çdo qendër ose vend pune dhe nën udhëheqjen e tyre, vunë të gjitha forcat që të vinin në zgjedhje, ku bëhet vlerësimi vjetor i punës, me një bilanc të pasur suksesesh. Njëkohësisht, organizatat bazë të partisë vazhdimisht vënë në dijeni punonjësit e qendrës së tyre të punës mbi çështjet që u interesojnë atyre në lidhje me rezultatet e punimeve të mbledhjeve të partisë. Pa dyshim, një praktikë e tillë, që ka të bëjë drejtpërdrejt me vënien në jetë në mënyrë konkrete të mësimeve të partisë për punën me masat, siç ka treguar eksperienca, është shumë e dobishme. Grupi revizionist i Nikita Hrushovit dhe pasuesit e tij, me vështirësitë që u përpoqën t’i krijonin vendit tonë me bllokadën e tyre, kujtuan se do ta shmangnin partinë dhe popullin tonë nga rruga e drejtë dhe e lavdishme, nga lufta e puna fisnike për ndërtimin e shoqërisë socialiste në Shqipëri. Por orvatjet e tyre dështuan me turp. Organizatat tona të partisë dhe, të lidhur ngushtë me to, të gjithë punonjësit, të bindur thellë në drejtësinë e madhe të vijës së përgjithshme të partisë sonë, luftuan me të gjitha forcat dhe me këmbëngulje për realizimin e saj konkret në të gjithë sektorët e jetës së vendit dhe i kaluan vështirësitë me heroizëm. Mobilizimi i pashembullt dhe iniciativat e shumta krijuese të punonjësve tanë ishin përgjigje e njëzëshme që u dha partia dhe populli ynë veprimeve antisocialiste të revizionistëve modernë. Morën një zhvillim të paparë racionalizimet dhe shpikjet, një shumicë e madhe veglash, pjesë këmbimi e prodhime të tjera që duhej të vinin nga jashtë, u prodhuan në vend. Në këtë mënyrë populli ynë i hodhi poshtë me përbuzje thirrjet e përbindshme dhe i bëri hi e pluhur parashikimet e revizionistëve për kundërrevolucion. Përkundrazi, u manifestua akoma më me forcë uniteti dhe prioriteti i vërtetë popullor i të gjitha masave punonjëse të vendit tonë, u rrit edhe më shumë ndërgjegjja e klasës sonë punëtore, fshatarësisë punonjëse dhe inteligjencës popullore, u rrit në një shkallë më të lartë vigjilenca e tyre revolucionare. Uniteti parti-popull qëndron i patundur si një mur çeliku, para të cilit do të thyejnë kokën të gjithë armiqtë që do të orvateshin të pengonin ecjen tonë drejt ndërtimit të shoqërisë socialiste e komuniste. Partia jonë e Punës, duke batuar në mënyrë krijuese mësimet e marksizëm-leninizmit, ka farkëtuar një organizatë të fortë, revolucionare, plotësisht të zonjën për rolin e saj historik. Me eksperiencën e saj ajo ka vërtetuar në këtë mënyrë edhe një herë rëndësinë e përgjithshme të mësimeve të mëdha të V. I. Leninit mbi partinë, të parimeve organizative dhe normave të jetës së partisë të përpunuar prej tij. Uniteti i çeliktë marksist-leninist i radhëve të partisë, nën udhëheqjen e Komitetit Qendror me shokun Enver Hoxha në krye, lidhjet e ngushta dhe mbështetja e fortë që gjen politika e saj largpamëse në klasën punëtore, në fshatarësinë kooperativiste dhe në masat e tjera punonjëse, janë një dëshmi e vijës dhe qëndrimit marksist-leninist të partisë sonë, janë një tregues gjithashtu i rëndësishëm i zbatimit të parimeve organizative marksiste-leniniste. Në këtë luftë të madhe që zhvillon partia jonë për ndërtimin e shoqërisë socialiste, si dhe për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit nga sulmet e tërbuara të revizionistëve, është rritur në një shkallë të re roli i organizatave të partisë, i punës së tyre organizative e politike, po kaliten e çelikosen akoma më tepër komunistët dhe gjithë punonjësit. Të bindur nga eksperienca e tyre, këta po i shtrëngojnë më fort radhët e tyre rreth partisë sonë heroike. Kjo është garancia më e fortë e të gjitha fitoreve tona. Partia jonë i ka dhënë dhe i jep kurdoherë rëndësi të madhe udhëheqjes së saj politike. Të gjitha organizatat e partisë jetojnë e punojnë në bazë të vendimeve të partisë, të gjithë komunistët marrin pjesë gjallërisht në punën e partisë. Konferencat e partisë të rretheve, që do të jenë një tjetër manifestim i kësaj karakteristike të partisë sonë. Ato do t’i japin një vrull punës për zgjidhjen e detyrave që na presin. Partia jonë ka marrë një sërë masash të rëndësishme për të krijuar kushtet e nevojshme për ngritjen e nivelit ideopolitik të komunistëve. Nga ana tjetër, duke patur si parim themelor në punën e saj udhëheqëse që të shtrojë për diskutim para masave të partisë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me politikën e saj, partia jonë ka krijuar të gjitha mundësitë,si për pjesëmarrjen aktive të komunistëve ashtu edhe për rritjen e nivelit dhe të njohurive të tyre gjithnjë në përshtatje me problemet e mëdha të kohës. Për anëtarët e partisë sonë, luftëtarë të ndërgjegjshëm e besnikë për çështjen e socializmit e të komunizmit, kjo ka qenë dhe është një kërkesë e dorës së parë. Por kjo kërkon një punë këmbëngulëse. Prandaj diskutimi i eksperiencës së organizatave të partisë për këtë çështje në konferencat e rretheve, është shumë i dobishëm.
Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i Popullit” më datë 30 janar 1963
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi
12 Mars 2008