E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT-i, çmimet e konsumit u rritën me 1.0 për qind në shkurt

Indeksi i çmimeve të konsumit në muajin shkurt 2008 arriti 101.5 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 1.0 për qind krahasuar me muajin e kaluar. Sipas INSTAT-it, ndryshimi vjetor në muajin shkurt është 3.6 për qind. Një vit më pare, ky ndryshim ishte 2.9 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një rritje prej 2.6 për qind, me një ndikim prej 1.0 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 7.6 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim rritjet e çmimeve të domateve me 33.8 për qind, kastravecave me 14.5 për qind dhe specave me 2.5 për qind.
Indeksi i nëngrupit “fruta” shënoi një rritje prej 1.9 për qind, ku mund të përmendim rritjet e çmimit të mandarinave me 12.2 për qind, limonave me 6.7 për qind, kivit me 6.7 për qind, mollëve me 1.6 për qind, etj. Gjatë muajit shkurt, çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjera të këtij grupi, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 7.7 për qind, “bukë e drithra” me 4.4 për qind, “Qumësht, djathë e vezë” me 0.7 për qind. Ndërsa çmimet në nëngrupin “peshk” dhe “mish” shënuan një ulje me 0.5 dhe 0.2 për qind. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.6 për qind, duke pasur një ndikim prej -0.03 për qind në totalin e ndryshimit mujor, ndërsa indeksi i grupit “Transport” shënoi një rritje prej 0.3 për qind, duke pasur një ndikim prej 0.02 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Gjatë muajit shkurt, çmimi i naftës shënoi një ulje prej 0.2 për qind, ndërsa çmimi i benzinës u rrit me 0.2 për qind. Çmimet e transportit interurban shënuan një rritje prej 2.1 për qind.

12 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›