E Diel, 1 Nëntor 2026

Rekord i ATK-së: 29 milionë euro nga taksat për një muaj

Prishtinë, 6 gusht – Gjatë muajit korrik Administrata Tatimore e Kosovës ka raportuar se ka inkasuar rreth 29 milionë euro të hyra buxhetore, që njëherësh konsiderohen si të hyra rekorde për këtë vit në periudha mujore. Me këtë shumë, ATK-ja e ka ngritur në 131 milionë euro vlerën e të hyrave të përgjithshme për periudhën 7-mujore të këtij viti. Bexhet Haliti, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, ka thënë se institucioni të cilin ai e udhëheq ka planifikuar që gjatë muajit korrik të arrijë të vjelë rreth 24 milionë euro, ndërkaq, vlera e raportuar e të hyrave tanimë është për rreth 4 milionë euro më e madhe sesa planifikimet e bëra më herët. Në raportin e rishikimit të buxhetit, Qeveria e Kosovës ia ka zvogëluar limitin e të hyrave vjetore Administratës Tatimore të Kosovës, nga 235 milionë euro sa ishin planifikuar të hyra vjetore në fillim të vitit, në 206 milionë euro të riplanifikuara në qershor.
Gjatë publikimit të raportit, të enjten, drejtori i ATK-së, Bexhet Haliti, në konferencë për gazetarë ka thënë se të hyrat tatimore të këtij viti janë më të larta për rreth 15 milionë euro, apo mbi 12 për qind më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë. Sipas tij, për 7 muaj ATK-ja ka realizuar rreth 61 për qind të planit të të hyrave të përgjithshme të përcaktuara në raportin e rishikimit të buxhetit në muajin qershor.
“Gjatë muajit korrik 2010, ATK-ja ka realizuar 28,8 milionë euro, që është një ngritje e konsiderueshme e të hyrave për 3.6 milionë me shumë se plani, apo shprehur në përqindje në raport me planin është 14 për qind më shumë”, ka thënë Haliti.
Sipas tij, shtimi i aktiviteteve në terren, komunikimi më i mirë me tatimpaguesit, shtimi i bashkëpunimit me institucionet e tjera për zbatimin e Ligjit, dhe masat e reja ndëshkimore kanë bërë që ATK-ja të mbledhë më shumë të hyra sivjet, për dallim nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar.
Sa i përket projektit të arkave fiskale, Haliti ka thënë se deri më tani janë instaluar rreth 2.000 regjistrues elektronik fiskal dhe procesi ka marrë rrugën e duhur dhe është duke hyrë në fazën e dytë me gjithëpërfshirëse. Ai ka thënë se deri më tani janë dhënë edhe 53 mijë e 317 numra fiskal për bizneset, nga të cilët 47 mijë e 724 janë biznese, ndërsa rreth 6 mijë sish janë ndarë për persona fizikë.
Borxhet e kompanive nga tatimet e papaguara ndaj Administratës Tatimore të grumbulluara prej vitesh kapin vlerën prej 265 milionë eurosh. Sipas drejtorit Haliti, vetëm 40 për qind e këtyre borxheve të grumbulluara është borxh bazë, ndërkaq rreth 60 për qind të shumës prej 265 milionë euro janë mjete të papaguara nga ndëshkimet e borxheve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›