E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokim kompleksit sportiv të “heroinës”

06/01/2011  Prokuroria sekuestron pronat e të dënuarit Mentor Shehu, anëtarit të grupit kriminal të Shijakut

Trafiku i drogës, akuza sekuestro për kalçeton, lokalin, sallën e

internetit dhe bilardon

TIRANE- Njërit prej anëtarëve të grupit kriminal të Shijakut që ka kryer trafikimin e rreth 480 kg heroinë në Itali, i është sekuestruar pasuria nga Prokuroria për Krime të Rënda. Me kërkesë të prokurorit Besnik Muçi, gjykata ka vendosur të sekuestrojë një fushë minifutbolli, një bar kafe, si dhe një sallë interneti, pasuri këto që janë të regjistruara në emër të të dënuarit Mentor Shehu. Ky i fundit është akuzuar për trafik lëndësh narkotike dhe organizim e drejtim të organizatave kriminale dhe për këto akuza ai është dënuar me 8 vjet heqje lirie. Gjatë periudhës së aktivitet kriminal, dyshohet se Shehu ka përfituar shuma të konsiderueshme financiare dhe nëpërmjet të cilave ai ka ndërtuar kalçeton, lokalin dhe sallën e internetit në rrugën nacionale Fier-Berat. “Nga hetimet lidhur me këtë procedim penal ka rezultuar se nga kryerja e kësaj vepre penale shtetasi Mentor Shehu ka fituar mjete financiare në mënyrë të paligjshme, të cilat i ka investuar në formën e pasurive të paluajtshme. Shtetasi Mentor Shehu nuk rezulton të ketë në Shqipëri aktivitet tregtar të regjistruar ose të ardhura të tjera të ligjshme”,-thuhet në kërkesën e Prokurorisë. Nga hetimi pasuror ka rezultuar se shtetasi i dënuar Mentor Shehu disponon pasuritë si një fushë minifutbolli me përmasa 40 me 20 m në anë të rrugës nacionale Berat-Fier e shtruar me tapet bari artificial, rrethuar me rrjetë teli me lartësi 4 m e ndërtuar gjatë viteve 2007-2008 pa leje. Si dhe një godinë njëkatëshe ngjitur me fushën e minifutbollit në funksion të saj me sipërfaqe 87 m2 e ndarë në dy pjesë, njëra me sipërfaqe 35 m2 bar kafe internet me pajisjet e bar kafes dhe 8 tavolina dhe 8 kompjuterë dhe pjesa tjetër me sipërfaqe 52 m2 sallë lojërash ku ndodhen tre fusha bilardo. Godina është ndërtuar pa leje gjatë vitit 2009. Duke qenë se kjo pasuri ka rrezik të humbasë, dëmtohet ose dhe tjetërsohet, Prokuroria i ka kërkuar gjykatës ta verë në masën e sekuestros. Me këtë vendim nuk është pajtuar i dënuari Mentor Shehu, i cili para pak kohësh ka bërë ankimim në Gjykatën e Apelit, ku i ka kërkuar kësaj të fundit prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe kthimin e të drejtës së administrimit të pronës së bllokuar. Shehu ka qenë pjesë e një grupi kriminal ku bashkë të pandehur kanë qenë edhe katër persona të tjetër. Nga hetimet ka rezultuar se ata kanë marrë pjesë në 18 episode të trafikimit të lëndëve narkotike të dërguar nga Shqipëria dhe Greqia, për në drejtim të shtetit italian. Më konkretisht është provuar pjesëmarrja e të pandehurve se Mentor Shehu (Toku) në 5 episode, Alket Hatija, ka marrë pjesë në 11 episode, Hekuran Hoxha (Roni) në 7 episode, Fatbardh Hoxha në 4 episode, dhe Saimir Gjepali ose (Shaqiri) në 2 episode.

Korrieri polak

Grupi në shumicën e rasteve e transportonte drogën nga Shqipëria në drejtim të Italisë me korrierë. Në fillim ata bashkëpunonin me korrierë shqiptarë, por më pas ndryshuan stilin e veprimit duke pajtuar korrierë të huaj. Andrzej Levandovvski është një nga korrierët polakë që ka mundur të fusë me kamion në portin e Barit një sasi prej 70 kg lëndë narkotike të llojit heroinë. Ai është arrestuar në shtetin italian teksa ishte duke udhëtuar në autostradën nr.A 14. Fatin e tij e kanë pasur dhe shumë korrierë të tjerë, të cilët bashkëpunonin me grupin kriminal të Shijakut.

Episodi i Tor Shehut

Të pandehurit Alket Hatija dhe Hekuran Hoxha, pas kërkesave të shumta të klientit Arben BACI, tentojnë që të bëjnë një furnizim të ri me lëndë narkotike, sasi të cilën do e priste i pandehuri Mentor SHEHU, me banim ne provincat e Leço. Në momentin që i pandehuri Hatija ka arritur në Itali, nëpërmjet numrit celular të Stiljan Kishtës, ka kontaktuar në telefon me të pandehurin Mentor Shehu, të cilit i ka konfirmuar faktin se do e telefonojë një korrier. Në këto rrethana, të pandehurin Mentor Shehu, e ka kontaktuar në telefon korrieri Gazmir Shoshaj, i cili e njofton për mbërritjen në Itali.

18 episodet e zbardhura

Episodi 1

Sekuestrohen 38 kg heroinë

Episodi 2

Sekuestrohen 21.750 kg heroinë

Episodi 3

Sekuestrohen 19.5 kg heroinë

Episodi 4

Sekuestrohen 22 kg heroinë

Episodi 5

Sekuestrohen 9.6 kg heroinë

Episodi 6

Sekuestrohen 23.5 kg heroinë

Episodi 7

Sekuestrohen 21 kg heroinë

Episodi 8

Sekuestrohen 11 kg heroinë

Episodi 9

Sekuestrohen 16.5 kg heroinë

Episodi 10

Sekuestrohen 35.3 kg heroinë

Episodi 11

Sekuestrohen 5.5 kg heroinë

Episodi 12

Sekuestrohen 31.7 kg heroinë

Episodi 13

Sekuestrohen 16.5 kg heroinë

Episodi 14

Sekuestrohen 14.2 kg heroinë

Episodi 15

Sekuestrohen 32 kg heroinë

Episodi 16

Sekuestrohen 12 kg heroinë

Episodi 17

Sekuestrohen 70 kg heroinë

Episodi 18

Sekuestrohen 52.7 dhe 33.6 kg heroinë

Total janë sekuestruar 488 kg heroinë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›