Bllokimi i D2, reagon Ruli: Nuk do e shesë vetëm ARMO
Fabiola Çela
Nafta D2 që prodhohet në tregun vendas nuk do të shitet vetëm nga kompania "Armo". Kështu është shprehur dje kreu i Ministrisë së Energjetikës, Genc Ruli. Sipas një vendimi të miratuar nga qeveria, duke nisur nga ky vit nuk do të lejohet më importi i naftës D2 në vend, por do të lejohet vetëm shitja e D2-it që prodhohet nga kompania "Armo". Një vendim i tillë u kundërshtua nga importuesit e karburanteve. Ndaj këtij vendimi të qeverisë ka reaguar edhe kreu i PS-së, Edi Rama. Pas një takimi të zhvilluar me importuesit, Rama deklaroi se qeveria duhet t'i japë zgjidhje situatës monopol të krijuar në tregun e karburanteve.
Ruli
Duke nisur nga 1 janari 2009, është ndaluar përdorimi për automjete dhe gjeneratorë i naftës D2 në tregun shqiptar për shkak të përmbajtjes së lartë të squfurit (mbi 1500 mg/kg) me objektivin që më 1 janar 2012 në Shqipëri të mos përdoret gazoil me përmbajtje më shumë se 10mg/kg. Ky është një detyrim i MSA-së dhe i Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Por sipas një vendimi të qeverisë, gjatë këtij viti do të lejohet të shitet vetëm nafta D2 që prodhohet në vend. Lidhur me këtë, ministri i Energjetikës, Ruli është shprehur: "Për vitin 2009 lejohet të përdoret vetëm gazoili D2 që nxirret nga nafta e vendit dhe rafinohet në Shqipëri. Kjo bëhet për arsye se nafta shqiptare me përmbajtje të lartë squfuri nuk ka treg jashtë vendit, ka teknologji përpunimi të dobët dhe rafinohet vetëm në Shqipëri. Ta bllokoje përdorimin e saj nga 1 janari, do të thotë të bllokoje të gjithë sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, që sot punëson 6500 punëtorë". Por sipas Rulit, me investimet e duhura teknologjike (të pakryera deri më sot) dhe që janë parashikuar në kontratën e shitjes së ARMO-s, brenda një viti ajo mund të përpunohet për të nxjerrë nënprodukte brenda standardeve të pranueshme mjedisore. "Dhe një vit që është koha e lënë për të kryer këto investime, gjykoj që është një kohë e mjaftueshme, madje mendoj se do të realizohet edhe më parë", ka thënë ai. Por nafta e prodhuar në vend nuk do të tregtohet vetëm nga ARMO. "Projektligji që po përgatitet dhe do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave, parashikon se si ARMO, prodhuesi i vetëm i D2 në vitin 2009, do të kufizohet për të shmangur pozicionin dominues në treg. Pra, 80 mijë tonë naftë D2 të prodhuara nuk do të lejohet t'i shesë vetë, por detyrohet të bëjë marrëveshje kontraktuale me subjektet tregtare me shumicë. Çmimi i shumicës do të orientohet nga kostoja dhe niveli i çmimit të D2 në tregun rajonal", ka deklaruar Ruli.
Rama
Pas një takimi të zhvilluar dhe me importuesit e karburanteve, kreu i PS-së, Rama, u shpreh se qeveria duhet të tërhiqet nga një vendim i saj që krijon monopol në këtë treg. "Autoriteti i Konkurrencës e ka trajtuar këtë çështje dhe ka arritur në konkluzionin se qeveria duhet të tërhiqet nga një vendim që cenon konkurrencën", u shpreh Rama. Sipas tij, qeveria duhet ta shohë këtë çështje me shumë qetësi, përpara se sa kjo të kthehet në një çështje eksplozive në mjedisin shqiptar.