Gjinushi kërcënon PS: Na takon anëtari i KQZ
Deklarata e dy ditëve më parë e Kastriot Islamit, sekretarit për çështjet elektorale në Partinë Socialiste, se kjo parti është e hapur pa përjashtuar askënd të majtë për të gjetur konsensus për komisionet zgjedhore, ka sjellë replikën e radhës nga ana e PSD-së. Kryetari i saj, Skënder Gjinushi e absolutizon çështje dhe shprehet se anëtari i partive të vogla i përket vetëm PSD-së. Në një prononcim për mediat, Gjinushi ka shprehur rezervat e tij ndaj deklaratës së Islamit. "Tani unë nuk merrem me intervista, që jepen menjëherë pas pushimeve, nga një njeri që s'ka dalë qëllimisht për të dhënë një intervistë, quhen improvizime. Ne kemi të drejtë me Kodin, me ligjin dhe me Kushtetutën. Në bazë të Kodit ne kemi të drejtën e propozimit dhe rrjedhimisht dhe të përfaqësimit me anëtarë komisioni", tha Gjinushi. Dy ditë më parë, sekretari socialist, nuk përjashtoi mundësinë që Lëvizja Socialiste për Integrim të ketë anëtarin e saj në Komisionin e ri Qendror të Zgjedhjeve. Islami tha se të gjitha partitë e majta do të vlerësohen nëse meritojnë mbështetjen e partisë më të madhe gjatë votimit të kandidaturave në Kuvend. "Partia Socialiste është e përgatitur dhe njëkohësisht e hapur për të zhvilluar atë proces konform kërkesave të Kodit Zgjedhor. Do të zbatohet pra, jo vetëm teknikisht, por dhe politikisht në mënyrë që të ketë konsensus sa më të gjerë jo vetëm midis forcave parlamentare, po mes të gjitha forcave veçanërisht atyre të majtave. Unë besoj që LSI është forcë e majtë dhe unë thashë të gjitha forcave të majta, unë nuk bëra as përjashtim dhe as stigmatizim të veçantë për ndonjë forcë të veçantë", tha Kastriot Islami, sekretar për çështjet zgjedhore.