E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja e energjisë, OSSH marrëveshje me policinë

 

Kush vjedh energjinë elektrike, nuk do të dënohet më me gjobë, por me një dënim edhe më të rëndë, pasi ky veprim do të quhet si vepër penale. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë, (OSSH) dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit kanë nënshkruar dje një marrëveshje bashkëpunimi mes tyre. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ministri Ruli u shpreh se, "kjo marrëveshje nënshkruhet në funksion të detyrimeve reciproke, për të siguruar atë që është objektivi i qeverisë, furnizimin sa më të mirë të popullatës me energji elektrike, që krahas masave të tjera ka edhe një parakusht të domosdoshëm, faktin që energjia si malli më i shtrenjtë dhe më strategjik, nuk duhet as të shpërdorohet, as të vidhet". Duke u ndalur te rëndësia që kanë utilitetet publike si furnizimi me ujë dhe energji elektrike, ministri Ruli vlerësoi miratimin nga Parlamenti të një ndryshimi në Kodin Penal. "Çdo ndërhyrje në rrjetin ujor të furnizimit të ujësjellësve dhe të rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike, quhet vepër penale, pra dënohet si vepër penale dhe jo thjesht me një gjobë", tha ministri Ruli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›