E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokimi i medias opozitare, shpikje për skenarët e mjerimit, që kurdis kuzhina e Edvinit

Gazetashitësit, shtypshkronja dhe “opinionistët” shfryjnë tollumbacen e pretendimeve

TIRANE – Është shfryrë dje tullumbacja e zhurmshme, për “bllokimin” e pretenduar të “gazetës shqiptare”, nëpërmjet blerjes së tirazhit të Tiranës nga një person i vetëm. Ndërsa shtypshkronja ku shtypet “Gazeta shqiptare” konfirmoi dje se nuk është rishtypur dje asnjë gazetë.
Shfryrjen e tullumbaces, më shumë se dëshmitë e gazetashitësve të Tiranës, apo edhe e shtypshkronjës, e konfirmuan edhe “opinionistët” e politikës dhe mediave, me mosverfikimin e pretendimit të kësaj gazete.
Përballë këtij inskenimi, s’mund të thuhet asgjë më shumë veçse një demaskim i maskaradës, për të cilën s’do të lodhemi së ngrituri telefonin, për të pritur protestat e lexuesve, të cilët kanë asistuar në vetë të parë, që nga shtypshkronja, e në të gjitha pikat e shitjes nëpër kryeqytet. Refreni i tyre i përbashkët është shprehja, “turp u qoftë”.

Gazetashitësit
Shpërndarësit e gazetave dhe gazetashitësit e Tiranës, kanë treguar dhe denoncuar dje skenarin e ulët, që mediat e Edvinit shpikën për të rritur interesin për shpifjet e tyre lidhur me Gërdecin, por para së gjithash, për të lidhur me pa të drejtë, emrin e kryeministrit Sali Berisha me lirinë e medias.
Sipas gazetashitësve të Tiranës, si edhe burimeve të shtypshkronjës, ku shtypet jo vetëm “Gazeta Shqiptare”, mësohet se, pasi është prodhuar tirazhi i numrit të djeshëm të kësaj gazete, dhe janë konservuar lastrat e saj, në mënyrë që ajo të riprintohej më vonë, me anë të një spektakli të padenjë, dje në mëngjes, në pikën ku grumbullohen gazetashitësit e kryeqytetit, disa njerëz, të hipur mbi një BMW, parablenë tirazhin e kryeqytetit të kësaj gazete, ndërkohë që thuajse pak minuta më vonë, “News 24” nisi maratonën e “denoncimeve” ndaj qeverisë shqiptare, ndërkohë që liderët e koalicionit të majtë, u “gjetën” papritur së bashku, në një takim pa axhendë, por që s’munguan të denonconin këtë “parablerje” që qeveria na paska bërë për të shmangur vëmendjen ndaj “fakteve” që po publikohen për tragjedinë e Gërdecit.
Tashmë është e ditur i gjithë trafiku që po kryhet prej prokurorisë për Tragjedinë e Gërdecit, trafikim që duket se po shkatërron të gjithë procesin që po shqyrtohet në Gjykatën e Lartë, por dje është asistuar në leximin e të gjithë merimangës që po e drejton këtë maskaradë: shpiket në mëngjes blerja e tirazhit, kamerat gjenden disa minuta më vonë dhe “denoncohet” fakti, më pas “udhëheqësit” e opozitës gjenden bashkë dhe denoncojnë aferën e pak më vonë, gazeta “riprintohet” në mënyrë që të mos u mungojë lexuesve.

Opinionistët
Për të bërë të besueshme “gjëmën” e madhe që i kishte ndodhur dje “Gazetës shqiptare”, nxituan që edhe opinionistët, si edhe politikanët, të jepnin mendimin e tyre, por pa e marrë mundimin të verifikonin pretendimet e “Gazetës shqiptare”.
Gazeta “55”, saktësisht në orën 18.23 të mbrëmjes së djeshme, kontaktoi me përfaqësuesen e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vasilika Hysi, për të mësuar diçka më shumë, për verifikimet e mundshme që ky komitet i kishte bërë pretendimit të “Gazeta shqiptare”. Nga ky komunikim, u mësua se zonja Hysi, nuk e kishte verifikuar pretendimin, ndërsa vetëm pak or ëmë parë e kishte komentuar këtë pretendim si “një nga pistat që mund të interpretohet është një presion mbi median e lirë, sidomos për një media investiguese”.
Por, vetëm pak orë më vonë, u mësua se me gjithë qëndrimin publik të saj, Vasilika Hysi, nuk e kishte verifikuar këtë pretendim, dhe se nuk dinte asgjë më shumë nga çfarë i kishin servirur drejtuesit e kësaj gazete.
“Reagimi im publik erdhi pas një kontakti që kisha me drejtuesit e ‘Gazetës shqiptare’. Nuk e kemi verifikuar rastin konkret, nuk është detyra dhe përgjegjësia jonë të verifikojmë raste të tilla”, u shpreh në emër të KSHH, Vasilika Hysi.
Edhe gazetari Aleksandër Çipa, në emër të “Unionit të Gazetarëve Shqiptarë”, kur komentonte dje këtë pretendim të “Gazeta Shqiptare”, deklaronte publikisht se “kemi hyrë në një fazë të rrezikshme, përderisa arrihet në një mënyrë të tillë të sekuestrohet në mënyrë të paligjshme tirazhi i një gazete të rëndësishme ditore. Ky veprim në kuptimin moral penalizon qeverinë dhe veçanërisht personat që kanë marrë përsipër autorësinë e këtij akti...”.
I kontaktuar nga gazeta “55”, nëpërmjet celularit, saktësisht në orën 18.41 të mbrëmjes së kaluar, Aleksandër Çipa konfirmoi se deklarimin e mësipërm për “sekuestrim”, e kishte bërë në kushtet e mosverifikimit në terren të pretendimit të “Gazetës shqiptare”.
“Si anëtare e ‘Unionit të gazetarëve Shqiptarë’, nga “Gazeta shqiptare na erdhi një ankesë, për bllokimin e shitjes së saj. Në këto rrethana erdhi edhe reagimi ynë, ndërsa verifikimi në terren i bërë nga ne rreth orës 09.00 – 09.30, tregonte se gazeta mungonte në treg”.
Pas këmbënguljes ë gazetës “55”, për të mësuar diçka më shumë se ishte ndërmarrë ndonjë hap nga ky union për verifikimin e mëtejshëm të pretendimit, pas disa përgjigjeve retorike dhe jointeresante për ne, Aleksandër Çipa, bëri të ditur se “nuk më intereson pyetja juaj”, duke i bënë vulën mosverifikimit në terren të këtij pretendimi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›