E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oh ç’vete, të ankohesh edhe pse të shitet gazeta...!

Jo vetëm pyetje në formën e një letre (jo)të hapur për kryeredaktoren e “Gazetës Shqiptare”

Anila!
Po të drejtohem thjesht në emër (sepse reciprocikisht është më mirë për secilin prej nesh të mos e konsiderojmë njëri-tjetrin kolegë), për të tërhequr vëmendjen për një gënjeshtër që ju e keni pompuar përgjatë gjithë ditës së djeshme. Shkurt, fjala është për “bllokimin” e pretenduar të daljes së gazetës së drejtuar prej jush në orët e para të ditës së djeshme në treg. Sipas pretendimit tuaj, “bllokimi” kishte të bënte me blerjen e tirazhit të numrit të djeshëm të gazetës tuaj, nga “një dorë e vetëm”, pa i lënë mundësinë asaj të dilte në treg..., pavarësisht se pa zhurmës së parë, ajo doli në treg.
Dhe e gjithë zhurma juaj e djeshme, duke thirrur në ndihmë edhe faktorët politikë e jopolitikë, brenda dhe jashtë mediave, nuk është asgjë më shumë se një gënjeshtër juaj, shumë, shumë e ulët dhe e inskenuar shumë, shumë keq.
* * * 
Çudia e parë e këtij pretendimi të habitshëm ka të bëjë me faktin, “mirë atë (apo ata) që e bleu (blenë) gjithë tirazhin nuk mundët ta (ti) identifikoni, po atë që e shiti, a e identifikuat?”.
E shtroj këtë pyetje, sepse nga përvoja në median e shkruar, kam parasysh që pas printimit në kalk, poliestër, apo edhe film të gazetës për çdo darkë, ka persona të tjerë, pa lidhje me gazetarinë si profesion, që i çojnë këto fletë të printuara në shtypshkronjë, presin sa gazeta të shtypet sipas tirazhit ditor të kërkuar dhe më pas kujdesen për shpërndarjen e saj nëpër rrethe, duke e dërguar me agjencitë e shpërndarjes, si edhe për shpërndarjen në Tiranë, që ka një specifikë tjetër shpërndarje nga ajo e rretheve.
Pa u zgjatur, këta persona nuk bëjnë asgjë më shumë, se merr gazetë nga shtypshkronja dhe ia lënë atë shitësit (shitësve) në Tiranë, konkretisht, ku edhe ju pretendoni se jeni “bllokuar”.
Pra, këta persona, nuk kanë asnjë tagër për të shitur gazetë, veçse ta dorëzojnë atë te shitësi...
Ndaj, ende habia ime nuk ka kaluar, kur ende nuk e di se kush ishte ai “maskara” që ua bëri këtë “poshtërsi” dhe ua shiti gjithë gazetën.
Besoj e keni verifikuar dhe e keni gjetur kush e shiti, por a mund të më shuani kureshtjen dhe të më thoni, e ndëshkuat apo penalizuat shitësin e mundshëm të gazetës suaj dje?
* * *
Oh, pretendimi juaj i tjerrur më pas, për atë që pse ua “bllokuan” gazetën, është mëse i çuditshëm.
Për ata që nuk kanë pasur mundësi të lexojnë gazetën tuaj të “bllokuar” dje, shkurt po ju tregoj se ju dhe jo vetëm, por edhe të paktën edhe gazeta “Shekulli” dhe “Korrieri”, kishit (a thua se të trija gazetat i kishte sajuar e njëjta dorë), të njëjtin argument, atë të lidhjeve të Shkëlzen Berishës me Rrahman Selmanllarin, “përfaqësuesin” e pretenduar prej jush të SAC.
Duke shpresuar se po e ndjek rrjedhën logjike të asaj që dua të them, më duhet të di, pse ai “blerësi” i mallkuar gjeti të “bllokonte” vetëm gazetën tuaj, kur këtë duhet ta bënte edhe me të paktën edhe gazetën “Shekulli” apo edhe “Korrieri”?.
Pastaj..., më fal për ndërhyrjen, por më duhet të të kujtoj se prej kohësh ka hyrë në “modë” në gazetat shqiptare që ribotojnë artikuj të njëra-tjetrës. Jo më larg se dy ditë më parë, bie fjala, edhe gazeta “Tema”, ribotonte shkrimin tuaj me titullin, “Mediu dhe Delijorgji i raportonin Shkëlzenit pas shpërthimit në Gërdec”, bashkë edhe me shënimin “nga Gazeta Shqiptare”. Pra, besoj, ju kot u trembet dje, para se të “rishtypnit” gazetën, sepse fare mirë ato materiale, në mos mund ti ribotonit vetë, do të gjendje ndonjë gazetë “dashamirëse”, që “t’ua përmbyllte këtë mision”.
Kot jeni trembur..., kot.
Nejse, t’i rikthehemi Rahman Selamllarit.
Nuk m’u duk se nga ato që shkruanit ju dje në numrin e “rishtypur”, por edhe nga ato që botonin gazetat e tjera për njohjet e miqësitë e Shkëlzen Berishës me Rrahman Selamlarin, se kishte ndonjë gjë të re apo të ndryshme nga ju dhe të njëjtat gazeta, që i keni thënë e stërthënë edhe më parë.
Ah po, e reja ishte se Selmanllarin e “klasifikonit” dje si përfaqësues të SAC, megjithëse nuk pamë që ai vetë të kishte firmosur diku, ndërsa e pranonit edhe vetë se kontratën e kishte nënshkruar me MEICO-n vetë Patrick Henry III.
Po mirë, t’ju bëj edhe një pyetje. Pse Kosta Trebickën e bëtë “hero”, biles i bëtë edhe një pasqyrim madhështor varrimit e postvarrimit nè formë proteste të tij, sigurisht pas asaj vdekjes aksidentale, ndërsa ai vetë kishte pranuar edhe në gazetën tuaj se kishte bashkëpunuar me Efraim Diverolin në të paktën 11 nga 35 ngarkesa me municione, duke dhënë “kontribut” edhe në fshirjen e mbishkrimeve kineze mbi këto arka me municione. Përpos këtyre, çfarë ka bërë më shumë, apo edhe më keq “antiheroi” Rrahman Selamllari, që ju ta linçoni në këtë farë feje..., duke demonstruar dystandardizim, krahasuar me “heroin” Kosta Trebicka?
* * *
Një çudi jo të vogël më shkaktoi ankimi juaj përgjatë gjithë ditës së djeshme, kishte të bënte me atë që ju ishit “shqetësuar”, pse ishte shitur e gjithë gazeta juaj.
Ju mund ta keni bërë këtë, për të zënë vendin e parë në një renditje të mundshme, të aktiviteteve prodhuese, që ankohen për shitjen e shkëlqyer të produkteve të tyre.
E keni kot.
Nuk jeni ju të parët.
Para jush, të paktën në Shqipëri, ka qenë KESH-i, në kohën e drejtimit të Andis Harasanit, që ankohej dhe lutej e sensibilizonte konsumatorët shqiptarë, që të mos e konsumonin shumë energjinë elektrike.
Unë e kuptoja Harasanin dhe KESH-in, të cilët bashkërisht, në kushtet e paaftësisë për të siguruar furnizimin e pandërprerë me energji elektrike, luteshin për moskonsumimin e asaj pakice që prodhohej apo importohej.
Nuk dua të besoj, se ju u “ankuat” për gjatë gjithë ditës së djeshme, pse nuk keni mundësi të prodhoni një gazetë cilësore...
... Por, nuk mund të rri pa ju thënë se në kushtet kur ju (nuk e kam fjalën personalisht vetëm për ju, por për gjithë “bordin mediatik” që sajon të njëjtën përmbajtje, sigurisht edhe faqe të parë, për çdo ditë në të njëjtat gazeta) jeni të pakënaqur nga efektet e pakënaqshme nga ç’prisnit për tymnajën e radhës me dosjen “Gërdeci”. Dhe për këtë, sajuat një lajm për të shitur një lajm.
Për këtë jeni të paparë, ku dhe si ju vajti mendja...?! Jeni të paparë
... Biles, biles, aq i bindur dukem në këtë përfundim, sa tani që po shkruaj këto radhë, m’u kujtua, që për t’ju ndihmuar në këtë paefektshmëri me ripublikimet e radhës të copëzave nga dosja “Gërdeci”, pikërisht dje (sa çudi), ju ka ardhur në ndihmë, jo vetëm ju si gazetë, por edhe gjithë simotrave tuaja, Prokuroria, e cila kishte dalë nëpër redaksitë tuaja, për të mbledhur dosjen “Gërdeci”, që vetë e kishin shpërndarë. Ju, sot e në vazhdim, jeni të justifikuar se kishit dëshirën të publikonit e zbardhnit dosjen “Gërdeci”, por..., nuk ju la prokuroria.
Hej, të të them një sekret.
Edhe unë e kam atë dosje. Por dua të di, për aq kohë sa nuk e publikoj atë, mund të kem “fatin” të kem përballë ndonjë nga ata të Prokurorisë, që të më kërkojë sekuestrimin e mundshëm të kësaj dosje, apo edhe burimin e sigurimit të saj?
Bëj shaka, nuk e kam atë dosje, se kush merret pastaj edhe me Prokurorinë.
* * * 
Tani do të më falësh për ndjenjën “egoiste” që më duhet të demonstroj, por nuk mund të rri pa bërë të ditur mendimin tim si pjesë e gazetës që përfaqësoj, për atë, pse ju e zhurmuat gjithë atë “skandal” dje, për atë pse ju ishte shitur e gjithë gazeta.
Prej ditësh, një Komision Hetimor Parlamentar, është duke hedhur dritë për lejet e ndërtimit që Edi Rama, me cilësinë e kryetarit të KRRT-së së Tiranës, ka dhënë për...
Si thua ti, për kë...?!
E pra, meqë nuk ke qenë pjesë e pasqyrimit të këtij skandali me lejet e ndërtimit, unë nuk mund të rri pa të treguar, se Edi Rama, me cilësinë e kryetarit të KRRT-së së Tiranës, ato lejë ndërtimi i ka dhënë për anëtarët e KRRT-së së Tiranës.
Konkretisht, sipas atyre që janë zbuluar nga ky komision, që ju e dini pse është ngritur, por nuk ju vjen për mbarë ta shkruani ndonjë gjë, mësohet se për çdo mbledhje KRRT-ëje të bashkisë së Tiranës, tre anëtarët e saj, Alban Eftimi, Artan Shkreli dhe Arben Biçoku, fillimisht kanë përfituar nga mëse 5 deri në 8 lejë ndërtimi për çdo mbledhje. Më pas “oreksi” ka ardhur duke u shtuar dhe përftimi i lejeve të ndërtimit nga vetëm këta tre persona, anëtarë të KRRT-së, ka shkuar në nivelin nga 1/3 deri në 70 për qind të të gjitha lejeve të ndërtimit, në një mbledhje të vetme. Kulmi ka arritur kur në mbledhjen e KRRT-ës së Tiranës së datës 17 prill të këtij viti, vetëm Alban Eftimi, ka fituar 19 nga 30 leje ndërtimi të shqyrtuara në atë mbledhje.
Në këtë kontekst, unë kam frikë, ose më saktë dyshoj, se dosja e rihapur e “Gërdecit”, bashkë edhe me atë ankimin e djeshëm të tipit Andis Harasani kur ai ishte në krye të KESH-it, lidhet me largimin e vëmendjes së këtij skandali të Edi Ramës, që ju, por edhe gazeta të tjera, ke parë ti, që dikur botonin edhe fotot nudo të Edi Ramës, apo edhe kartelën e tij mjekësore, nuk shkruajnë asnjë rresht të vetëm.
Në qoftë se janë të sakta thashethemet që kam dëgjuar si ti vetë aspiron për kandidate për deputetë në listën e PS-ës në Lushnje,  je në rregull, se po e kryen mirë punën për të formalizuar këtë “thashethem”. Unë nuk e di, në se ti do të jesh në listën për kandidatët deputetët të PS-ës në Lushnje, mbi apo nën Arta Daden, por di që me shërbimin që i ke bërë Edi Ramës, ia ke futur deputetes aktuale dhe e meriton të jesh mbi atë në renditjen e listës së Lushnjes...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›